E Diel, 1 Nëntor 2026

Specialistët: Virusi A H1N1 i thyen të gjitha parashikimet, mund ta ketë prekur Shqipërinë pa u vënë re

Shqipëria nuk mund ti shpëtojë më gripit të derrave, për pak javë mund të jetë i pranishëm
Shqipëria nuk është më vendi që mbetet jashtë hartës së vendeve të prekura nga gripi i derrave. Krerët dhe specialistët e shëndetësisë në vendin tonë kanë bërë të ditur se janë në gatishmëri të plotë tani për përballimin e virusit A H1N1. Gjithashtu ata nuk kanë ngurruar të mos përmendin edhe faktin se Shqipëria mund të jetë prekur nga ky virus kohë më parë nga ndonjë rast i lehtë që mund të ketë kaluar pa u vënë re dhe pa u përcaktuar si një grip i kësaj kategorie. Një nga specialistet e shëndetësisë, Silva Bino ka pohuar se, ndonjë person mund te ketë qenë prekur nga ky grip, ndërkohë që në tetor dhe nëntor do të kemi raste të tjera të këtij virusi. Më tej specialistët theksojnë me forcë se çdo njeri që ka temperaturë e kollë duhet të paraqitet nëpër qendra shëndetësore dhe spitale pasi tek asnjeri nuk mund të përjashtohet mundësia e prekjes nga virusi A H1N1. Deri më tani ishte pretenduar nga specialistët se stina e verës do të arrinte që të frenonte përhapjen e këtij virusi por sipas të dhënave ka rezultuar krejtësisht e kundërta duke paraqitur një situatë të përhapjes së shpejtë dhe krejt ndryshe nga një grip i zakonshëm. Vetë kreu i shëndetësisë, ministria Anila Godo bëri thirrje që njerëzit të mos terrorizohen por vetëm të jenë të kujdesshëm dhe vigjilent ndaj çdo shenje që ata mund të kenë dhe që mund tju përngjasë me një grip dhe tju drejtohen qendrave ambulatore menjëherë pasi ajo që mund të bëjnë mjekët dhe institucionet e shëndetit është vetëm kurimi pasi parandalimi është i pamundur.
ISHP: Virusi AH1N1 thyen të gjitha parashikimet
Deri më tani nga institucionet e shëndetësisë ishin hedhur hipoteza të shumta lidhur me përballimin e gripit të derrit. Gjithashtu në bazë të parashikimeve ato kishin arritur që të ngrinin edhe grupe pune apo të angazhonin të gjitha instancat që të merreshin masat e nevojshme, por kanë arritur në përfundimin se ky grip i hedh poshtë të gjitha parashikimet e bërë më parë se situata ti shfaqej konkrete. Drejtori i Institutit të Shëndetit Publik, Alban ylli ka deklaruar se ardhja e virusit AH1N1 mund të jetë më e shpejtë sa ç'është parashikuar. Më tej ai ka bërë të ditur se, rastet e infektimit fare pranë kufijve tanë dhe në vende ku ne kemi shumë emigrantë, të cilët do të vijnë gjatë verës tek të afërmit e tyre, do të thotë se herët e vonë edhe ne do të prekemi nga virusi i gripit të derrit AH1N1, por duket se kjo do të ndodhë me shpejt nga parashikimet tona.
Më të rrezikuarit personat pa imunitet
Në krahasim me pasojat që ka shkaktuar gripi i derrit në vende të tjera si dhe në kontinente të tjera në Evropë ai ka ardhur disi më i zbutur. Gjë kjo e cila ka ulur ndjeshëm numrin e vdekjeve nga ky virus. Sipas specialistëve deri më sot, virusi i gripit të derrit që ka prekur Evropën nuk ka shënuar forma të rënda. Por, vdekshmëria mund të rrezikojë ata persona, të cilët përveç se të prekur nga virusi mund të kenë imunitet të ulët ose të vuajnë nga sëmundje të renda kronike. Alarmi për një ardhje më të shpejtë se parashikimet të gripit të derrit në vendin tonë i ka detyruar institucionet e larta shëndetësore të hartojnë planin e masave për të përballuar një situatë epidemie.
Ja se si do të menaxhohet ky virus në vendin tonë
Në strategjinë e menaxhimit të krizës përcaktohen qartë hapat sipas katër niveleve të riskut që paraqet ky virus. Niveli i parë është niveli i vetëdijes në të cilin duhet identifikuar e parandaluar përhapja e mëtejshme e virusit. Më pas vijon hapi i dytë, menaxhimi i shqetësimit social ku theksohet identifikimi i grup popullatës së prekur, niveli i tretë përcakton shkallëzimin e epidemisë ku thelbësore janë standardet e shërbimit, forcimin e kapaciteteve laboratorike etj. Niveli i katërt është faza pandemike ku theksohet sigurimi i kapaciteteve maksimale në spitale për të qenë të afta të përballojnë pandeminë. Specialistët i bëjnë thirrje qytetarëve të ndërgjegjësohen dhe të mos neglizhojnë asnjë shenjë qoftë dhe të një sëmundjeje të rrugëve të frymëmarrjes, sidomos personat që janë të prirur të shfaqin simptoma më të rënda.
Ka nisur edhe trajnimi i mjekëve të familjes pasi ata janë të parët që do ta konstatojnë. Ndërkohë që rekomandohet që të gjithë qytetarët të bëjnë vaksinën e gripit të thjeshtë në kohën e duhur. Me ardhjen e vjeshtës është e sigurt që vendi ynë do të jetë pjesë e vendeve të prekura nga virusi AH1N1 por nuk përjashtohen as mundësitë që ky vend mund të jetë prekur më parë ose që së shpejti do të ketë raste të tjera të personave të prekur përderisa është e rrethuar nga vendet e prekura.

********************************************************************************
Në pikën kufitare të Gjirkostrës kontrollohen edhe produktet ushqimore nga frika e AH1N1

Frika nga mbërritja e virusit AH1N1 përmes pikave kufitare në Gjirokastër, ka vënë në alarm strukturat e shëndetësisë dhe të bujqësisë. Drejtori i Bujqësisë dhe Ushqimit për Qarkun e Gjirokastrës Bekim Sinani, ka pohuar se janë marrë të gjitha masat në të tri pikat kufitare që ka rajoni jugor, që të mos hyjë asnjë lloj produkti ushqimor pa ditur vendin e origjinës nga importohet. Sipas Sinanit specialistët e bujqësisë dhe ushqimit tashmë janë në gatishmëri të plotë për të mos lejuar asnjë lloj hyrjeje të mishit nga zona që janë problematike. Madje gjatë ditëve të fundit janë shtuar kontrollet tek fermat e mbarështimit të derrave ku situata është tërësisht nën kontroll të plotë duke realizuar edhe analiza të nevojshme për të shuar në origjinë çdo lloj vatre sëmundshmërie. Sot në Qarkun e Gjirokastrës ekzistojnë 6 komplekse të rritjes dhe mbarështimit të derrave dhe deri më tani tek të gjitha ato janë ushtruar kontrolle periodike për të shmangur në maksimum çdo lloj virusi të dyshimtë-shprehet Sinani. Edhe Drejtoria e Shëndetit Publik në Gjirokastër ka marrë masa prej kohësh për të ndaluar në maksimum hyrjen e virusit vdekjeprurës përmes pikave kufitare që ka Gjirokastra. Duke parë se në Greqi rastet e infektimit me gripin e derrave po shtohen gjithnjë e më tepër, lind nevoja e marrjes së masave parandaluese megjithatë nuk përjashtohet mundësia e hyrjes së virusit përmes Kakavijes apo dy pikave të tjera kufitare. Kjo sipas specialistëve të shëndetësisë, është e mundshme në kushtet e mungesës së një depistimi total të të gjithë njerëzve që vijnë nga Greqia për në vendin tonë. Sipas tyre është e pamundur që të depistohen të gjithë të ardhurit nga Greqia. Rreziku i hyrjes së virusit AH1N1, përmes Kakavijes, bëhet më i besueshëm në kushtet e fillimit për pak ditë të sezonit të pushimeve në Greqi cka sic do vit, do të krijojë një valë të gjatë ardhjesh të emigrantëve shqiptarë përmes pikave kufitare.   

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›