E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ura-Vajgurore, 12 mijë banorë, rrezik epidemie

 

URA VAJGURORE - Kryebashkiaku i Urës-Vajgurore paralajmëron epidemi të mundshme për 12 mijë banorët e këtij qyteti si pasojë e ujit të ndotur. I ndodhur para kësaj situate, kreu i bashkisë, Syrja Ormenaj ka kërkuar herë pas here një fond për ndërtimin e një ujësjellësi të ri. Por, ndonëse në këtë qytet ka pasur edhe raste masive të epidemisë, sidomos në vitin e kaluar po për shkak të ujit askush nuk ka marrë masa për të evituar precedentin në këtë sezon veror. Kryebashkiaku Ormenaj bëri të ditur se uji që konsumojnë qytetarët është i ndotur. Shkak, sipas tij, e kësaj situate është bërë ndërtimi i këtij ujësjellësi nën nivelin e shtratit të lumit Osum. Ai konfirmoi faktin se qytetarët e Urës-Vajgurore prej shumë kohësh nuk e konsumojnë më ujin që vjen në çezmat e tyre. Ata e përdorin atë vetëm për të larë, ndërsa për konsumin e përditshëm e blejnë. Por nuk janë të pakët qytetarët që janë të detyruar të gjejnë burime të tjera për të mbushur enët e tyre, pasi ata nuk kanë mundësi financiare të blejnë çdo ditë ujë. Qyteti karakterizohet nga papunësia dhe varfëria, ndaj banorët janë ankuar disa herë pranë institucioneve vendore për këtë problem. "Ne si bashki kemi kërkuar nga qeveria që të na jepen fonde për ndërtimin e një ujësjellësi të ri. Projektin ia kemi përcjellë ministrisë përkatëse, por gjer në këto momente nuk kemi marrë asnjë përgjigje", tha Ormenaj. Sipas tij, Drejtoria e Ujësjellësit ka marrë masa duke shtuar dozën e klorinimit, por përsëri uji është i ndotur. Një shkak tjetër, sipas kryebashkiakut, për gjendjen e krijuar janë bërë edhe shpërthimet e lëndëve plasëse të guroreve. Ato kanë shkatërruar tubacionet, nga ku më pas janë bashkuar edhe ujërat e zeza me ato të bardha.                                 d.xh

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›