Berat, pishat thyejnë varret
• BERAT – Të paktën 4 varre janë shkatërruar dhe shumë të tjera rrezikohen të shkatërrohen në varrezat e qytetit të Beratit.Shkak për këtë janë thyerjet e trungjeve të disa pishave shekullore, të cilat ndodhen në sipërfaqet e varrezave. Mosha e vjetër dhe trupi i tyre i lartë bën që shumë herë degë të tyre të thyhen, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme te varret ku bien. Sipas Thoma Çapit, pronarit të një agjencie funerali në këtë qytet, trungjet e këtyre pishave janë bërë shkaktare për shkatërrimin e disa varreve. Sipas tij, i është bërë disa herë kërkesë bashkisë së qytetit për prerjen e tyre. Ndërkohë që mësohet se edhe pse nga ana e bashkisë është bërë një tender për prerjen e pishave, asnjë firmë nuk e ka marrë përsipër. Kjo, sipas tij, për arsyen se fondi i ofruar ka qenë shumë i vogël. Gjithashtu, një tjetër arsye është rrezikshmëria që ka procesi i prerjes së pishave, pasi gjatë punës mund të dëmtohen varre të tjera. d.xh