Estonezët vizitojnë Elbasanin
• ELBASAN - Një delegacion nga Estonia ka mbërritur mesditën e djeshme në qytetin e Elbasanit.Delegacioni përbëhej nga Raian Rassimanus, shefi i kabinetit të Kryeministrit të këtij vendi, Eri Gros, Guvernatori i Bursës së Balltikut dhe Igor Grazel, deputet në Parlamentin estonez. Gjatë kësaj vizite miqësore mes dy vendesh delegacioni është pritur nga prefekti i Qarkut, Rezart Kovaçi, deputeti Aurel Bylykbashi, kryetari i Këshillit të Qarkut Ardian Turku si dhe kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Veli Kazazi. Në takimin e realizuar në ambientet e prefekturës u diskutua për fushat e bashkëpunimit në të ardhmen mes Estonisë dhe qytetit të Elbasanit ku më kryesore ishin ato të industrisë dhe ndotjes. Deputeti Grazel ka premtuar për një linjë bashkëpunimi mes qytetit estonez Tartus dhe Elbasanit si në anën shkencore e akademike, ashtu edhe në atë industriale. a.k