Greva, 60 furgonë bllokojnë qytetin
• Një grevë e përgjithshme do të zhvillohet sot paradite nga shoferët e 60 mjeteve të transportit taksi 8+1.SHKODER/ RITVAN DIBRANdryshimi i stacionit për ta, nga qendra e qytetit të Shkodrës për në periferi të tij si dhe konkurrenca e pandershme i ka çuar drejt grevës. Sipas përfaqësuesve të grevës, në rast se bashkia nuk i merr parasysh kërkesat e tyre, ata kërcënojnë përshkallëzimin e grevave nga 1 orë në një ditë e më pas në grevë pa afat. Paraditen e djeshme, një përfaqësi e sindikatës së shoferëve taksi 8+1, të cilët operojnë kryesisht në linjën Tiranë-Shkodër dhe anasjellas kanë dalë në një konferencë për shtyp ku kanë paraqitur kërkesën e tyre për ndryshimin e vendqëndrimit të stacionit të tyre nga periferia drejt qendrës. “Shkak për një vendim të tillë ka qenë konkurrenca e pandershme që furgonë të tjerë të pa licencuar po rivalizojnë me ne duke u nisur nga qendra. Të gjithë shkodranët e dinë se në çdo orë të ditës po të afrohesh tek radio Shkodra aty do të gjesh furgonë të palicencuar të cilët të ofrojnë një shërbim drejt Tiranës në mënyrë të paligjshme dhe askush nuk po i ndalon dot. Kjo po bën që ne, të cilët jo vetëm që i kemi shlyer të gjitha detyrimet që kërkon bashkia, por edhe jemi munduar që të respektojmë vendimin e saj për vendqëndrimin në të dalë të qytetit. Ndërkohë që aktualisht sjellja e jonë korrekte po bën që ne të jemi drejt falimentimit”. Janë rreth 160 furgonë, të cilët kryejnë rrugët e fshatrave të Shkodrës dhe të Pukës e Koplikut që nuk kanë asnjë leje për të bërë këtë transport. Në këtë drejtim sindikalistët nuk kanë toleruar më dhe ata janë të gatshëm që të kryejnë edhe grevën e tyre për të bërë të mundur ushqimin e familjes dhe fëmijëve që tashmë kanë një arsye më shumë për të qenë të bashkuar. Drejtuesit e furgonëve të ligjshëm dhe të grupuar në federatën e tyre tashmë deklarojnë se “nuk jemi të zotë të nxjerrim naftën, taksën dhe nuk bëhet fjalë për fitim”, dhe kjo vetëm se të paligjshmit tolerohen dhe furgonët e rregullt nisen nga një vend aspak i përshtatshëm. Në mbështetje të shoferëve të furgonëve ka dalë edhe Konfederata Sindikale, nëpërmjet kryetarit të saj Fatmir Smajli, që jo vetëm e ka quajtur të drejtë kërkesën e tyre, por ai edhe u ka afruar mbështetjen për vendimin e tyre në fillimin e grevës një ditore.