E Diel, 1 Nëntor 2026

Berat, qytetarët të rrezikuar nga sëmundjet infektive të ujit të pijshëm

Shirat e ditëve të fundit dhe shumë herë temperaturat e nxehta rrezikojnë shfaqjen e sëmundjeve epidemike nga uji i pijshëm tek qytetarët e Beratit. Rasti më i fundit është në lagjen 30 Vjetori, ku çarja e një tubacioni ka krijuar turbullim të ujit të pijshëm . Banorët  me kampione uji në duar kanë rendur tek drejtoria e shëndetit publik që ndodhet po në këtë lagje, për të bërë analizat e ujit që konsumojnë çdo ditë. Pasi kanë marrë përgjigje se uji nuk përbën rrezik qytetarët vazhdojnë të përdorin këtë uji por ende nuk janë të qetë pasi në fund te enëve ata vërejnë mbetje të ngurta. Sipas shefes së higjienës në drejtorinë e shëndetësisë Sadie Isufaj bëhet e ditur se nga kjo drejtori çdo ditë kryhen kontrolle në 37 pika fundore ndërsa një herë në javë ky kontroll bëhet i plot që në burimi i Bogovës që furnizon rrethin e Beratit dhe deri në sistemin e shtrirjes të tubacionit ku shpërndahet sasia e ujit të pijshëm. Sipas Isufajt në përgjithësi Berati nuk ka patur probleme që të rrezikojnë jetën e qytetarëve por ajo që mund të rrezikoj është rrjeti i tubacionit që duhet të ndërrohet. Shefja e higjienës citon se defektet në linjat e brendshme na bën që të jemi në gatishmëri sa herë që bie shi për faktin se uji ka ndotje dhe në kërkojnë nga Ndërmarrja e Ujësjellësit që në këto raste të rritet sasia e klorit në ujë.Nga 0.6 deri në 0.8 miligram për litër që është masa normale, në ditët me shi sasia dyfishohet dhe kjo është një masë që mund të ezauroj rrezikun për përhapjen e sëmundjeve të ndryshme tek qytetarët, pohon Isufaj. Nga analizat bakteriologjike dhe fizikokimike janë konstatuar mbetje të ngurta por ne theksojmë se nuk kemi siguri që nuk do të shfaqen sëmundje infektive pasi rrjeti çon në ndotje të ujit, citon një punonjëse në repartin e laboratorit. Në shumë rrugica të qytetit të Beratit ka patur defekte të herëpashershme të dala nga qarkullimi i makinave me tonazh të rëndë që kalojnë mbi kalldrëm, bën të ditur Drejtori i Drejtorisë së Ujësjellës Kanalizimeve Fatmir Shehu.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›