Tregtonin në kushte të papërshtatshme, mbyllen 4 dyqane akulloreje në Korçë
Mbyllen katër njësi që tregtonin akullore në Korçë, gjoba për dyqanet problematikë. Rritja e temperaturave ditët e fundit ka nxitur inspektorët e Shëndetit Publik në Korçë të ndërmarrin kontrolle të shumta në më shumë se 200 njësi shitje në gjithë kryeqendrën e juglindjes. Njësitë që tregtojnë kryesisht akullore kanë qenë më të kontrolluara, por edhe ato të tregtimit të mishit, bulmetit etj., që janë më të ekspozuara ndaj agjentëve atmosferikë, por dhe që dekompozohen shpejt.
Shmangia e helmimeve të ndryshme që mund të shkaktojnë këto ushqime tek konsumatorët dhe kërcënimi që mund ti bëhet jetës së tyre ka qenë objekti i këtij kontrolli, ndërsa dy raste me helmim nga ushqimi ditët e fundit tek dy fëmijë në qytetin e Korçës janë bërë shkak dhe e përshpejtimit të këtyre kontrollove masive. Duke iu referuar të njëjtave burime mësohet se inspektorët e Shëndetit Publik në qytetin juglindor kanë vendosur dhe gjoba të shumta për njësitë ku mallrat ushqimore tregtoheshin në kushte jo të përshtatshme. Janë plot 20 gjoba me vlerë nga 5 mijë deri në 20 mijë lekë. Ndërkaq kontrollet do të vazhdojnë dhe në ditët e ardhshme, ku objekti do të jetë i njëjtë, por këtë herë ato do të zhvendosen në fshatrat e rrethit të Korçës me të njëjtin objekt kontrolli.