E Diel, 1 Nëntor 2026

Një përgjigje fenomenit antikombëtar dhe antidemokratik Bashkim Kopliku

Rrapo Hajredin DANUSHI* 
Kryesia e Shoqatës Kombëtare të të Shpronësuarve Pronësi me Drejtësi është e detyruar ti përgjigjet shkrimit të z. Kopliku veçanërisht replikës së tij të fundit të botuar në gazetën SOT datë 29.05.2009, për faktin se riaktivizimi i z. Kopliku ka të bëjë me ligjin 7501 si dhe implikon në mënyrë të drejtpërdrejtë shoqatën dhe njëkohësisht përfaqëson një fenomen antikombëtar dhe antidemokratik. Detyra e Shoqatës është imponimi me mjete demokratike për të korrigjuar gabimet e bëra me pronën, kthimi fizik i pronës tek i zoti ashtu siç është thyer në të gjitha zonat veriore të Shqipërisë dhe në mbi 75% të sipërfaqes. Shoqata nuk ka pranuar dhe nuk do të pranojë, në asnjë rast të luajë me të drejtat e pronarëve dhe ne  nuk pranojmë mendjemadhësinë dhe komandat e çuditshme të fenomenit Kopliku që të pranojmë alternativën e kompensimit. Me shumë shkrime të botuara me parë është sqaruar shkaku pse jemi detyruar të largohemi përfundimisht nga Partia Republikane dhe PD. Për 18 vjet ata na mashtruan. Është fakt që pas vitit 2005 të gjitha përkeqësimet e ligjeve gjysmake për pronat janë propozuar nga PR dhe janë miratuar me deputetët e PD dhe tani këto forca angazhohen se do ta zgjidhin problemin e pronës duke na kompensuar.(?!)  Z. Bashkim Kopliku në replikën e dt 30 maj në gazetën Sot, shpreh respekt për Shoqatën e Pronësi me Drejtësi, por ne shkrimin e tij botuar ne gazetën Gazeta Shqiptare kërkon që ne të pranojmë kompensimin përndryshe jemi ne që dëmtojmë pronarët apo u bëjmë pronarëve shtrëngimin mbytës të ariut sepse i duam shume ose duam të mos i japim asgjë pronarëve (e thënë ndryshe merrni ato që ju japim ne). z. Kopliku nuk do të kuptojë se Shoqata e trajton pronën si çështje të së drejtës si çështje kombëtare dhe çështje themelore për demokracinë. Sqarojmë gjithashtu se  z. Ahmet Sulstarova, është zv. Kryetar i Shoqatës, i shpronësuar dhe i përndjekur politik, që ka punuar dhe vazhdon të punojë me ndershmëri dhe përkushtim për kthimin e pronës tek i zoti. Zoti Ahmet Sulstarova është zgjedhur në këtë post që në vitin 1991 kur është formuar Shoqata. Kryesia e Shoqatës dhe gjithë anëtarësia e saj janë krenarë që kanë në gjirin e saj dhe janë drejtuar nga njerëz si Rrapo Hajredin Danushi e Ahmet Sulstarova, njerëz të përkushtuar, të vendosur e të pa korruptueshëm në mbrojtjen e interesave të pronarëve. Kundërshtimi dhe mendimet e zotit Ahmet Sulstarova lidhur me propozimin Kopliku për të hequr dorë nga kërkesat për të kthyer fizikisht pronën tek i zoti dhe për të pranuar kompensimin që na ofrojnë politikanët, janë mendime dhe qëndrim i Kryesisë së Shoqatës të shprehura edhe më pare dhe shumë herë në shtyp. Bashkim Kopliku e ka devijuar replikën në akuza dhe sulme personale të ulëta, të gënjeshtra e të pa argumentuara ndaj Zv. Kryetarit të shoqatës dhe  me mbrojtjen e ligjit 7501 tregoi fytyrën e vërtetë të tij. Ligji  7501 është ligji më antidemokratik,  strumbullari i anarkisë së pronës dhe i ligjeve të tjera që kanë vepruar mbi pronës. Tani që u dogj karta republikane e Fatmir Mediut na del propozimi Koplikut. A është kjo rastësi apo zbatim i programit të Katovicës, që edhe kjo është trajtuar në shumë shkrime. Duke mos pasur argumente Bashkim Kopliku kalon në sofizma që të na mbushi mendjen se ai përfaqëson demokratin dhe Ahmet Sulstarova qenka tip komunisti ose sigurimsi etj etj. Të gjitha këto na indinjojnë dhe revoltojnë për këtë fenomen të ri të përfaqësuar nga Bashkim Kopliku. Ahmet Sulstarova ka të drejtë të ankohet lidhur me zhdukjen e babait të tij nga hetuesia e regjimit komunist. Këtë kërkesë mëse legjitime të tij ai e ka bërë në prokurori,  ka  bërë kallëzim penal për personin që i ka zhdukur babain, prokuroria e ka mbyllur ose nuk e ka hapur fare hetimin, sepse politikanët që ishin atëherë në pushtet (ndoshta me ose pa ndikimin tuaj), nuk lejuan hapjen e hetimeve. Nëse z Kopliku është i drejtë i ndershëm dhe demokrat siç pretendon  le të kërkojë nga prokuroria të rifillojë hetimin e këtij kallëzimi dhe jo të shpifë e akuzojë ndaj këtij të përndjekuri. Kjo do të jetë një tregues i ndershmërisë personale pasi ato që kanë vdekur në tortura nuk i kthejmë dot . Nuk është morale për z. Kopliku të etiketojë z. Sulstarova  këlysh komunist dhe bile sigurims dhe në vend të replikës të devijojë nga problemi dhe të botojë një deklaratë te disa te burgosurve. Nuk vëmë në dyshim deklaratën e këtyre të burgosurve politikë ashtu siç nuk vëmë në dyshim pohimin e z. Sulstarova se ai ka denoncuar në prokurorinë e përgjithshme vjehrrin e Bashkim Koplikut, Skender Konica si kriminel, që ka torturuar deri në vdekje kundërshtarët e regjimit komunist dhe ndërmjet tyre dhe babanë e Ahmetit. Nëse Ahmet Sulstarova është ankuar për këtë në prokurori si mund të etiketohet si shpifës. Kjo nuk quhet ndershmëri por pandershmëri. Për zotin Ahmet Sulstarova, veç të tjerash ne si kryesi e shoqatës i besojmë edhe dy deklaratave të verifikimit të pastërtisë së figurës nga komisioni Mezini dhe komisioni Bezhani pra komisione të dy krahëve të politikës. Kur B. Kopliku ka qenë Ministër i Brendshëm z. Ahmet Sulstarova me propozim te Shoqatës së të Përndjekurve Politikë ka qenë drejtor i Parkut të Delegacioneve ku ka punuar nëntë vjet deri në pension. Si Ministër i Brendshëm që kontrollonte dosjet e personave që punonin në poste të tilla B. Kopliku nuk ka vepruar ndaj këtij që sot na qenka sigurimi. Bashkim Kopliku po flet tani duke marrë rolin e mbrojtësit, me çdo kusht, të ligjit 7501, qoftë edhe duke shpifur alla sigurim i shtetit komunist për një nga figurat më të spikatura të Shoqatës sonë.   Theksojmë se për Kryesin e Shoqatës e vlefshme nga ky debat është qëndrimi ndaj të drejtës së pronës së trashëguar. Në mbyllje përsërisim se Shqipëria është e vogël dhe njerëzit dinë të vlerësojnë punën e Shoqatës dhe zotin Ahmet Sulstarova si dhe ju që jeni riaktivizuar për të mbrojtur ligjin antikombëtar 7501,  pse kjo replikë është devijuar prej jush në fyerje, populli di të ndajë të vërtetën.
*Kryetar i Shoqatës Kombëtare të të Shpronësuarve Pronësi me Drejtësi

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›