E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berat, rreshket pllaja e malit. Rrezikohen 15 familje

Rrëshqitja e pllajës së malit, në fshatin Krekës së Beratit ka rrezikuar jetën e 15 familjeve. 400 banorët e këtij fshati kanë kërkuar ndërhyrje të menjëhershme. Lidhur me këtë problematikë ka reaguar dhe prefekti i qarkut të Beratit. 

BERAT- 15 familje në fshatin Krekas në komunën Lumas të rrethit të Beratit kanë dhënë alarmin e rrezikut që u kanoset si rezultat i rrëshqitjes së pllajës së malit. Të 15 familjet kanë kaluar orë të tëra ankthi mbrëmjen e djeshme, si pasojë e rrëshqitjes së një masivi shkëmbi dhe dheu. Fenomeni natyrorë ka bërë që të devijojë edhe përroi i fshatit, i cili ka krijuar një rezervuar në mes të lagjes ku në rast reshjes rrezikon përmbytjen.

Si rezultat është bllokuar dhe rruga që lidh dy lagjet e këtij fshati, duke i izoluar krejtësisht 400 banorët. Prefekti i qarkut të Berait Thoma Rumnici shprehet se pas marrjes së informacionit ka udhëtuar drejt fshatit Krekës .

“nuk kemi një situatë të qëndrueshme, rrezikohen edhe banesat që janë në periferi të lagjes. Do të marrim masa të menjëhershme për të normalizuar situatën”- u shpreh Rumnici.

Në fjalën e tij kryetari i komunës Lumas, Fadil Ago, është shprehur se kërkon ndërhyrje urgjente, ndërsa ka pohuar se do të kërkojë menjëherë një inspektim nga specialistët gjeolog për zonën. “duhet të ndërhyhet urgjentisht për mos krijimin e shkarjeve të tjera. Gjithashtu kërkoj të mos nënvlerësohen fenomenet”- tha Ago. (a.r/news24/balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›