E Diel, 1 Nëntor 2026

Berat, shkëmbinjtë lënë Mangalemin pa gjumë

Vetë Bashkia ndihet e pafuqishme për të përballuar parandalimin e shkëputjes së shkëmbinjve në zonën jugperëndimore


Historia në lagjen "Mangalem" daton që kur të parët vendosën të ndërtonin shtëpitë në buzë të shkëmbit "kokëshkretë"


BERAT - Ngjarja e ndodhur më datë 23 korrik, kur nga masivi shkëmbor i Kalasë u shkëput një gur, nuk shkaktoi ndonjë tragjedi. Gjithsesi ky ishte paralajmërimi i parë se Kalaja, aq sa është e bukur për vizitorët, po kaq është e rrezikshme për shkëmbinjtë që mban.


Për këtë arsye Bashkia ka dhënë alarmin për mbrojtjen e zonës muzeale dhe jetës së qytetarëve nga kërcënimi serioz i shkëmbinjve, duke i bërë apel qeverisë dhe strukturave të specializuara të saj për vlerësim real të situatës dhe për marrjen e masave emergjente për parandalimin e rreziqeve që sjellin shkëputjet e shkëmbinjve.


Ndërkohë, burime nga bashkia thonë se ndihen të pafuqishëm për të përballuar parandalimin e shkëputjes së shkëmbinjve në zonën shkëmbore jugperëndimore të Kalasë dhe kodrat mbi lagjen Goricë, pasi për emergjencat civile zotërohet një fond simbolik prej 1,5 milionë lekësh, shumë kjo e papërfillshme për zgjidhjen e problemeve të shumta emergjente që ka qyteti-muze i Beratit.


Vetë banorët e lagjes "Mangalem" flasin për rreziqe të tjera, për faktin që zona shkëmbore është tronditur dhe ka pësuar lëvizje të gurëve nga vendi. Madje, vetëm 20 ditë më parë kjo zonë u rrezikua nga një tjetër masiv, por u morën masat për parandalimin e ndonjë tragjedie.


Sipas banorëve të vjetër të Mangalemit, zgjidhja qëndron në investimet emergjente për të izoluar zonën me rrjeta e me pastrim të gurëve problematikë. Deri tani asnjë masë konkrete nuk është marrë, përveç kryerjes së studimit biologjik dhe përcaktimit të fondit që duhet për të përballuar gjithë këtë volum pune. Vetë Bashkia e Beratit ka hartuar projekte, të cilat i ka adresuar pranë Ministrive përkatëse, por që ende nuk janë konkretizuar me fonde financiare.


Premtimet e harruara


Vetëm 24 orë pas shkëputjes së masivit shkëmbor nga kodrat e Kalasë së Beratit, ngjarje kjo e ndodhur afro 3 muaj më parë, në Berat erdhën gjeologë e specialistë nga ministritë përkatëse, të cilët inspektuan gjithë zonën shkëmbore mbi lagjen Mangalem.


Përfundimi i ekipit të specialistëve është se janë edhe 3 masive të tjera shkëmbore që kanë filluar të lëvizin e që rrezikojnë të shkëputen nga vendi, gjë që kërkon një vlerësim të situatës.


Bashkë me grupin e specialistëve zona shkëmbore u inspektua edhe nga zëvendësministri i Brendshëm Ferdinand Pone, i cili e vlerësoi në atë kohë situatën të rrezikshme dhe premtoi ndërhyrje të shpejtë dhe të studiuar në këtë zonë.


Sipas Pones, për këtë ndërhyrje do të duhej bashkërendimi i punës së shumë institucioneve e ministrive, duke përzgjedhur mes 2 metodave, asaj të vendosjes së perdeve të varura a të mbështetura në faqen e malit ose metodën e kolonave për të krijuar një mur që të evitojë rrezikun e përhershëm në këtë lagje. Tani që ekspertët gjeologë e kanë kryer studimin, asnjë investim nuk po fillon në Berat.


Edhe zëvendëskryeministri Genc Pollo pati premtuar atëherë ndërhyrje të menjëhershme për të shmangur çdo rrezik të mundshëm në këtë zonë. Ai tha se qeveria do të akordonte menjëherë fondet e nevojshme në bazë edhe të projekteve të hartuara nga bashkia për ndërtimin e unazës së re të qytetit. Por ndërkohë, duket se ky premtim është harruar.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›