E Shtunë, 31 Tetor 2026

Munguan tre avokatë, "Gërdeci" zvarritet sërish

Procesi

Maks Haxhia, kreu i Dhomës Kombëtare të Avokatisë, mbrojtës i Delijorgjit në proces akuzoi drejtësinë për shtyrjet e seancave


TIRANË- Edhe pas apeleve të njëpasnjëshme të zyrtarëve të lartë të Drejtësisë në vend, për mos zvarritjen e proceseve gjyqësore, sërish dje procesi në ngarkim të të pandehurve të akuzuar si përgjegjës të tragjedisë së Gërdecit u shty për mungesë të avokatëve mbrojtës.


Paraditen e djeshme, në kohën që togat e zeza të Gjykatës së Shkallës së Parë do të lexonin vendimin e tyre mbi kërkesat për pavlefshmëri të avokatëve mbrojtës, në seancën gjyqësore mungonin tre nga avokatët e zgjedhur nga të pandehurit apo pjesëtarët e familjes së tyre.


Mungesa e këtyre tre avokatëve dhe të pandehurit Denis Hajdari, i cili nuk ka pranuar të marrë avokat, duke u mbrojtur vetë, bëri që trupi gjykues të ndërpresë seancën gjyqësore dhe të shtyjë seancën për të mërkurën e ardhshme në orën 10:00.


Me kërkesë të organit të akuzës, gjykata pezulloi afatet e paraburgimit për të arrestuarit që ndodhen në qelitë e burgut 313, në masën e sigurisë "arrest me burg".
Menjëherë pas ndërprerjes së seancës gjyqësore dhe shtyrjes për mungesë të avokatëve, kreu i Dhomës Kombëtare të Avokatisë, Maks Haxhia, i cili është edhe mbrojtës ligjor i të pandehurit Mihal Delijorgji, i pyetur në lidhje me këto zvarritje të gjyqeve i vuri fajin drejtësisë dhe jo kolegëve të tij.


"Nuk janë avokatët shkak që gjyqet shtyhen, por shkaktare për këtë është vetë drejtësia,- tha Haxhia në ikje e sipër nga dyert kryesore të Gjykatës së Shkallës së Parë. Gjithsesi ai nuk tha se pse sipas tij, për këto zvarritje ishin organet e Drejtësisë përgjegjëse.


E ndërsa, gjyqi i Gërdecit u shty sërish dje duke sjellë edhe irritimin për të disatën herë të familjarëve të viktimave, kreu i Dhomës Kombëtare të Avokatisë kërkon shkakun te drejtësia dhe jo te mungesa e pa arsyeshme e kolegëve të tij në këtë proces gjyqësor.
Ndërkohë, të pranishëm në sallën e gjyqit ishin vetëm gjashtë të pandehur, ndërsa, 22 të tjerët nuk kishin preferuar të paraqiten para togave të zeza në procesin gjyqësor ndaj tyre, ku akuzohen për tragjedinë e 15 marsit 2008, të shpërthimit të punishtes së demontimit në Gërdec që solli vdekjen e 26 personave dhe mbi 300 të tjerëve të plagosur.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›