E Diel, 1 Nëntor 2026

Berat stuhia shkaterron qindra banesa

Një stuhi e fuqishme e shoqëruar me reshje të mëdha shiu shkaktoi shkatërrimin e qindra banesave në një fshat të rrethit të Beratit, ndërkohë që banorët janë në terr, si pasojë e dëmtimit të shtyllave të tensionit të lartë. Situata ka ardhur duke u përkeqësuar, pasi era vazhdon të jetë tepër e fortë duke dëmtuar ushqimin e blegtorisë dhe të mbjellat e stinës. Kryetari i komunës Vërtop Flamur Balliu ka dhënë alarmin në media për situatën e rëndë të krijuar. Fshatrat Kapinorë e Tomorr të kësaj komune janë prekur nga një stuhi e fuqishme një natë më parë, ndërkohë që është ndjerë dhe në fshatra të tjerë të kësaj komune malore. Si pasojë e erës së fuqishme qindra banesa në fshatrat Kapinovë dhe Tomorr janë dëmtuar në pjesët e çative të tyre. Banorët kanë parë sot se shtëpitë e tyre janë dëmtuar pjesërisht, por nuk kan mundur ende që të marin asnjë masë për riparimin e tyre, pasi era vijon ende. Dëme të mëdha në këto fshatra janë shkaktuar dhe në bujqësi dhe blegtori, por më problematike paraqitet situata në furnizimin me energji elektrike të banorëve. Në këto fshatra janë dëmtuar një numër i madh shtyllash të tensionit të lartë. Dëmtimi i tyre ka bërë që mijëra banorë të ngelen pa energji elektrike në banesat e tyre. Kryetari i komunës Vërtop Flamur Balliu ka qënë sot në këto fshatra ku sëbashku me një grup pune ka inspektuar situatën e krijuar. Nga ky inspektim mësohet se dëmet janë të mëdha kryesisht në banesa, por dhe në blegtori, gjë e cila do të sjellë paralizimin e këtij aktiviteti të vetëm për banorët e zonës. Dëme janë shkaktuar dhe në shkollën nëntë vjeçare të fshatit Tomorr të komunës Vërtop, çatia e së cilës është shkatëruar pjesërisht dhe kërkon ndërhyrje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›