E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berat, zbardhet ngjarja e '79, prangoset vrasësi i Nuredin Myzyrit

Arrestohet një nga të dyshuarit e vrasjes në Uznovë, ku mbeti i vdekur 25 vjeçari
Policia e Beratit ka deklaruar zbardhjen e një tjetër ngjarjeje të vitit 1997, ku humbi jetën një i ri, ndërsa mjeti ku udhëtonte ra pre e grabitjes me dhunë nga tre beratas. Në kuadër të një operacioni të koduar Konspiracioni, organizuar nga Sektori kundër Krimeve të Rënda në bashkëpunimin me organin e prokurorisë është mundësuar zbardhja e ngjarjes ku mbeti i vrarë Nuredin Myzyri, banor i lagjes Uznovë në periferi të qytetit të Beratit dhe më pas arrestimin i njërit prej autorëve të kësaj vrasjeje. Pasi është rihapur për hetim dosja e kësaj ngjarjeje, e mbetur prej vitesh në sirtarët e policisë, ekspertët hetimorë kanë mundësuar rihapjen e kësaj dosjeje dhe më pas zbardhjen e saj. Dëshmi të reja nga dëshmitarë okularë  si dhe nga persona të tjerë të afërm të viktimës, kanë mundësuar plotësimin e dosjes, që më pas ka sjellë arrestimin e njërit prej autorëve dhe shpalljen në kërkim të dy autorëve të kësaj ngjarjeje. Burime të komisariatit të policisë së këtij qyteti bëjnë me dije se rreth orës 23:00 të mbrëmjes së mërkurë është mundësuar arrestimi i Sokol Kalemit, 37 vjeç, lindur dhe banues në Berat. Policia tha se Kalemi rezulton të jetë autor i vrasjes së Nuredin Myzyrit, ngjarje e ndodhur më 5 korrik të vitit 1997 në lagjen Uznovë të këtij qyteti.
Historia e ngjarjes në vitin 1997
Nuredin Myzyri, mësohet se mbeti i vrarë, ndërsa udhëtonte me një mjet tip kamion, në drejtim të qytetit të Poliçanit. Automjeti ZIZ mësohet se ka rënë pre e grabitjes me dhunë nga tre persona të armatosur, gjatë rrugës në vendin e quajtur çezma e thatë. Tre personat e armatosur, mes të cilëve dhe Kalemi mësohet se i kanë zënë pritë mjetit dhe kanë grabitur pasagjerët, mes të cilëve ndodhej dhe 25- vjeçari Myzyri. Ky i fundit dyshohet të ketë kundërshtuar tre autorët gjatë kohës që janë detyruar të zbrisnin nga karroceria e mjetit dhe nën kërcënimin e armëve janë detyruar të rreshtohen me qëllim grabitjen. Në kundërshtim e sipër, 25- vjeçari është qëlluar me armë zjarri në trup, duke humbur jetën. Autorët janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes, duke i shpëtuar në vite prangave të policisë për shkak të moszbardhjes së kësaj ngjarjeje në mungesë të provave dhe dëshmive, pasi vrasje ka ndodhur në vitin kur shteti ishte inegzistent. Por rihapja e dosjeve të vjetra dhe përfundimet me sukses të hetimeve të saj kanë mundësuar prangosjen e Kalemit dhe shpalljen në kërkim të Saimir Gegollit dhe Artan Keçit. Prokuroria mësohet se ka shpallur tashmë në kërkim me dy të akuzuarit e tjerë të kësaj vrasjeje, me akuzën e vrasjes në bashkëpunim. Dy këta të fundit rezultojnë të jenë jashtë vendit. Drejtori i Policisë së Beratit, Benard Çaushi bëri të ditur se objektivi i policisë tashmë është zbardhja e 107 dosjeve të mbetura deri në këto momente pezull për arsye të mungesës të provave dhe të këqyrjes të vendit të ngjarjes, pasi në atë vit policia për disa muaj nuk funksionoi. Gjatë 3 muajve të fundit, me ardhjen e Çaushajt në krye të bluve të Beratit janë hapur 23 dosje të vjetra, ku deri tani janë arrestuar 6 persona, të cilët do ti shkojnë drejtësisë për gjykim si autorë të mundshëm të vrasjeve të ndodhura në vitin e mbrapshtë të '97- tës.

Email This Klikime: 17

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›