E Diel, 1 Nëntor 2026

Beratasit homazhe dhe lot në kujtim të Arben Zylyftarit

03/08/2010 Arben Zylyftari

BERAT- Paraditen e djeshme në qytetin e Beratit është përkujtuar koloneli Arben Zylyftari në dhjetëvjetorin e vdekjes së tij në krye të detyrës. Tashmë Arbeni është kthyer në qytetin e tij të Berat në monument të bronztë, i pavdekshëm. Ka bënë Bashkia e Beratit ajo që ka organizuar ceremoninë e përkujtimit të djalit të këtij qyteti, i cili ra në krye të detyrës në qytetin e Shkodrës në datën 2 gusht 2000. Po nga ana e bashkisë së qytetit në këtë përvjetor është vendosur busti i Arben Zylyftarit. “Në përvjetorin e tij të rënies Arbeni vjen tashmë i kthyer në imazh, i cili do të qëndroj para syve të njerëzve të tij të dashur ashtu i qeshur, i dashur, i përjetësuar në memorial”, - me këto fjalë kreu i Bashkisë së Beratit Fadil Nasufi ka përuruar bustin e bronztë të kolonelit hero. Ceremonia përkujtimore ka filluar në orën 9:00 të paradites së sotme (djeshme) me homazhe në Varrezat e Dëshmorëve të kombit, atje ku prehen eshtrat e kolonel Arben Zylyftarit. Lule, kurora të freskëta dhe lot janë derdhur nga të afërmit, nëna dhe gruaja Elsa, fëmijët Emi dhe Efranci, kolegët dhe nga shokët e fëmijërisë të tij. Lule nga shokët e Arbenit nga uniformat blu si dhe kurora të vendosur nga pushtetarë vendorë, të afërm e miq të tij. Më pas ceremonia e përkujtimit të Arben Zylyftarit ka vijuar me vendosjen e bustit të tij të bronztë në qendër të qytetit, i cili është realizuar nga skulptori

Maksim Bushi. Më tej ceremonia ka vijuar në pallatin e kulturës të këtij qyteti “Margarita Tutulani”, ku është përkujtuar e gjithë veprimtaria e punës së heroit Zylyftari nga shokë, miq e familjarë. Nëna e Arbenit me lot në sy dhe duke u dridhur nga vitet që ka mbi supe si dhe nga zemra e plagosur, ashtu siç shprehet, pohon se tani është e lumtur të vdesë, pasi e pa dhe djalin e saj mes fëmijëve të tjerë të shokëve dhe miqve të tij, të kolegëve me të cilit punoi deri në ditën e fundit. Në kumtesat e tyre shokët e Arbenit sjellin kujtime nga jeta e tij, megjithëse tepër e shkurtër, ata ruajnë të freskëta kujtimet me të. Shumë shokë e dashamirës të tij kanë ardhur nga qyteti i Korçës për të kujtuar gjithë veprimtarinë të shokut të tyre, i vili ndërroi jetë në krye të detyrës për ruajtjen e rendit dhe qetësisë në vend. Vullneti, njëri prej vëllezërve, pohon se “megjithëse mbas dhjetë vjetësh, ne ndihemi të realizuar, se ëndrra jonë, mendoi dhe e gjithë atyre që e donin Benin (kështu thirrej shkurt) u realizua e tashmë Arbeni nuk është një djali i kësaj familjeje, por djali i gjithë Beratit”.

Dhjet vjet më parë Arbeni u nda përgjithmonë nga të dashurit e tij, duke iu prerë jeta në mes kur ishte në krye të detyrës si drejtor i policisë të qarkut të Shkodrës. Familjarët ndiejnë dhimbje të madhe për humbjen e njeriut më të dashur, ndërsa të afërmit dhe shokët e kolegët e tij nuk kanë për të harruar kur “komisarin e hekurt”, si ishin mësuar ta thërrisnin vitet e fundit kur komisari ndeshej vërtet me kapot e bandave të skafeve, drogës dhe krimit të organizuar në Vlorë dhe në qytetin verior. Nasufi në fjalën e tij ka vijuar mes të tjerash se “Arbeni është një nga simbolet e luftës kundër krimit, ndaj dhe këshilli bashkiak i qytetit të Beratit e nderoi me titullin ‘Qytetar Nderi’, duke e

përjetësuar në bust prej bronzi. Ndërsa drejtori i policisë së qarkut të Beratit Altin Qato në fjalën e tij ka pohuar: “Sot mbushen dhjetë vjet nga dita kur në qytetin e Shkodrës, në një përpjekje të armatosur me krimin humbi jetën drejtori i policisë në prefekturën e Shkodrës, komisari i hekurt kolonel Arben Zylyftari. Vrasja e kolonel Zylyftarit preku çdo zemër shqiptare, familja humbi njeriun e shtrenjtë, ne humbëm kolegun e shkëlqyer, por fituam një simbol të ri të fuqishëm në luftën

tonë për një shoqëri pa krime.” Ngjarja ka ndodhur më 2 gusht 2000 në mesdite në një lagje të qytetit Shkodrës. Krimineli goditi Arbenin, kjo ishte shumë e rënd për të gjithë ne. Ra në krye të detyrës oficeri i lartë, një kolonel i shërbimeve policore, emri i të cilit pa kaluar shumë kohë u kthye në një mit të qëndresës në emër të shtetit të së drejtës, të lirisë, të të drejtave njerëzore.

Ai dëshmoi se profesionalizmi dhe qytetaria, dashuria për jetën dhe qetësin e qytetarëve ishin për të emblema dhe kodi, të cilat e udhëhiqnin në punën e tij.

Në fund të simpoziumit u promovuan edhe dy libra me kujtime nga të afërm dhe shok të kolonelit Arben Zylyftari.

Sulo Gozhina

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›