Berati dhe Trashëgimia Kulturore
Shqipëria është kthyer në një vend me tri qendra Pasuri e Kulturës Botërore, që janë Butrinti, Gjirokastra dhe Berati. Shpallja e Beratit si Pasuri Botërore mbushi vitin e këtij statusi. Berati si Pasuri Botërore shpreh së pari interesimin dhe mbështetjen e gjithanshme të shtetit shqiptar, të pushtetit vendor dhe të organizmave tona të Trashëgimisë Kulturore. Nga ana tjetër, së dyti, ky akt shpreh vlerësimin e organizmave ndërkombëtare të kulturës UNESCO, ICOMOS etj., si dhe nga personalitete të njohura të fushës së restaurimit nga bota. Dhe këtë vlerësim Berati e meriton plotësisht. Në takime të ndryshme ndërkombëtare, kolegët e huaj shprehin vlerësime të larta për vlerat kulturore të këtij qyteti. Përfshirja e Beratit në Listën e Pasurisë Botërore është një nder për kulturën kombëtare, si dhe për vetë këtë listë, ku shënohen rreth 800 objekte kulturore në të gjithë botën. Berati është një qytet-muze me vendbanim të fortifikuara, ende i banuar dhe me kuartiere - lagje tepër kompakte në anën vizuale urbanistike-arkitekturore, si dhe me një larmi monumentesh religjioze, ortodokse dhe islame. Pa dyshim Berati përfaqëson një unitet të veçantë për gjithë rajonin e Ballkanit. Banorët vendas dhe kultura kombëtare e meriton këtë cilësim të Beratit dhe në këtë kuadër kemi detyra për ta mirëmbajtur. Shteti shqiptar, duke qenë i ndërgjegjshëm për faktin se Shqipëria ka në gjirin e saj tri qendra pasuri e Kulturës Botërore, veçanërisht dy-tre vitet e fundit ka rritur ndjeshëm interesimin për veprat monumentale të Trashëgimisë Kulturore. Me rëndësi sa i përket vlerave së Trashëgimisë Kulturore, është fakti se pas shumë vitesh, po ndërhyhet në komplekse monumentale, veç objekteve të veçanta. Gjatë këtyre viteve ka ekzistuar një bashkëpunim konkret ndërmjet organizmave tona dhe atyre ndërkombëtare, që menaxhojnë dhe asistojnë veprimtarinë tonë me Trashëgiminë Kulturore. Pikërisht sivjet do të trajtohet thellësisht lagja muze e Mangalemit, si dhe ajo e Goricës përballë. Punime do të realizohen dhe në kalanë e qytetit si dhe në objekte të veçanta të arkitekturës popullore. Në Berat dhe ndërtimi i urës së re përfaqësoi një projekt në përshtatje me ambientin historik-muzeal në lagjen Mangalem e Goricë. Të tjera objekte të njohura, ku gjatë dy viteve të fundit është ndërhyrë dhe po vazhdohet janë Pazari i Gjirokastrës, Pazari i Korçës, bulevardi i Shkodrës etj. Në Gjirokastër veç pazarit po punohet dhe në disa banesa, ku paraqiten probleme të qëndrueshmërisë. Kthimi i bulevardit të Shkodrës në një rrugë këmbësore mbylli kolanën e një sërë objekteve të arkitekturës Adriatiko-dalmative siç janë Budva, Kotori, Dubrovniku, Spliti, Xara etj. Gjatë këtij viti do të ndërhyhet në Kalanë e Durrësit, Peqinit, Elbasanit, Gjirokastrës, Tiranës, etj. Me interes do të jetë bashkëpunimi gjatë vitit 2009 me fondet e Bashkimit Europian për punimet e infrastrukturës dhe restaurimit në kalatë e Tiranës, Krujës, Himarës, Elbasanit, në qendrën e Shkodrës, në Pazarin e Krujës, në Pazarin e Korçës, etj. Organizmat ndërkombëtare do të impenjohen me mbështetje financiare edhe në sistemimin e infrastrukturës pranë monumenteve si p.sh në rregullimin e rrugës së Finiqit, në Antigone, në Rodon, etj. Gjatë këtyre dy viteve janë trajtuar dhe një numër i madh kalash në brigjet e Adriatikut. Në kalanë e Rodonit, që lidhet me emrin e Skënderbeut, u kryen punime të thella restaurimi për sigurimin e qëndrueshmërisë dhe evidentimit të saj. Edhe në kalanë e Lezhës punimet cilësore përforcuan sistemin rrethues fortifikues. Pas shumë vitesh muret e kalasë së Rozafatit u pastruan nga vegjetacioni i shumtë dëmtues dhe u evidentuan mjaft objekte në oborret e saj. Veç ndërhyrjes në komplekse, mjaft ndërhyrje janë kryer dhe në objekte të veçanta. Në Delvinë dhe në Sarandë është punuar dhe po vazhdohet në trajtimin e objekteve religjioze të fesë së krishterë dhe islamike, si në Rusanj, Delvinë, Mesopotam, etj. Pas shumë vitesh u ngrit minarja e xhamisë së Mirahorit në Korçë, ku është punuar dhe në kishat e Voskopojës dhe të Vithkuqit. Vlera të arkitekturës popullore janë trajtuar në Gjirokastër, Berat, Korçë, Shkodër, etj. Objekte të tjera si ura dhe ujësjellës janë trajtuar në Mat, Voskopojë, Vranisht, etj. Mund të thuhet se po ndryshon faqja e Gjirokastrës, Shkodrës, Beratit, etj. Veç punimeve të restaurimit në organizmat tona të trashëgimisë është punuar dhe për propagandimin e monumenteve si objekte bazë për interesat turistiko-kulturore. Vazhdon botimi i serisë "Monumentet" dhe u krye një botim voluminoz me vlerë, që pasqyron trashëgiminë e kalasë së Elbasanit. Këtë vit botohet monografia "Ndërtimet e hershme hidraulike shqiptare" etj. Bashkëpunimi me të huajt, i të gjithë organizmave të trashëgimisë vazhdon të thellojë lidhjet në kuadrin e vlerësimit dhe restaurimit të Trashëgimisë Kulturore. Me palën turke po bashkëpunohet për ndërtimin e xhamive, me francezët për monumentet e Voskopojës, me italianët në zonën e Sarandës, etj. Bashkëpunimi ndërmjet specialistëve tonë dhe atyre të Kosovës në fushën e studimit dhe restaurimit është realitet i rëndësishëm në kulturën tonë kombëtare. Hapja e Shkollës Rajonale të Restaurimit në Tiranë nga ana e UNESCO-s shpreh konsideratën e organizmave kulturore ndërkombëtare për aktivitete restauruese në Shqipëri, si dhe ndikon drejtpërdrejtë në rritjen e përkujdesjes së Trashëgimisë Kulturore, qoftë të institucioneve të specializuara po ashtu dhe të qytetarëve për ndërgjegjësimin e tyre e për vlerat e pasurisë kulturore.