E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dashuri politike në kohën e kolerës

Ndërsa treni i bashkëpunimit PD-LSI është nisur dhe të dyja palët kanë kërcyer me shpejtësi në kompartimentet e tij, duke i bërë llogaritë në një ambient pak rrokopujë (e që çuditërisht deri më 28 qershor pak e kishin parashikuar), karakteristikë e trazimeve të mëdha që iu ndodhin shoqërive hera-herës, ndoshta ky titull i huazuar nga romani i Markezit do të ishte paksa e i ekzagjeruar për një situatë shoqërore që më shumë se sa një stuhi të vërtetë, duket se ka të ngjizur brenda saj tharmin e "dramës" që ka prodhuar një stuhi në gotë, sidomos te LSI-ja. Këtë "dramë" të koalicionit me Berishën të përjetuar si tragjike apo si fundi i botës nga pak drejtues të LSI-së, mediumet bardh e zi të brendshme janë përpjekur në përgjithësi ta ekzagjerojnë apo edhe ta minimizojnë, duke e paraqitur nën një këndvështrim që më së paku nuk i shërben shoqërisë shqiptare për momentin.

Atyre që kundërshtojnë koalicionin do t‘u kujtoja një anektodë që ia pata treguar dikur kolegut tim në Kuvend, Spartak Ngjelës, ish-kryetarit të zellshëm të komisionit "Klosi", natën kur ky i fundit do të shkarkohej nga detyra e "kryespiunit" të SHISH (vini re, nga kombëtar që kishte synuar, të paktën formalisht, të ishte shërbimi në erën Berisha - President me akronimin SHIK, ai ishte pagëzuar në shtetëror). Atëbotë zotit Ngjela, në seancën e darkës së vonë, i dërguan lajm se z. Klosi ishte "arratisur", ndaj ai më kërkoi të dilja jashtë me të për të më marrë një mendje se si e nxirrte lojën ky fakt i ri e i "sigurt". Unë që isha pak më i qetë në raport me kërcimin në pedanë të z. Ngjela në drejtimin e punëve të këtij komisioni e pyeta atë me sinqeritet në se ai kishte dijeni për ndonjë objektiv të dytë të ngjizur mbrapa dashurisë flesh Nano-Berisha, për shkarkimin e z. Klosi. Unë e pyeta kështu ngaqë kishte filluar gjuetia në Ballkan ndaj kriminelëve të luftës nga K. Del Ponte dhe mendoja se mos edhe F. Klosi mund të kishte ndonjë lidhje të fshehtë antiperëndimore dhe më pas ai mund të thirrej në Hagë. Si zakonisht, pa ma përtuar me etiketimet e veta energjike, Taku më quajti pak bizantinist dhe okultist, duke më thënë se ky proces është tërësisht transparent, por shtoi se Klosi nuk do ta hidhte paq vetëm me shkarkimin. Atëherë unë i bëra pyetjen bombë: a do Perëndimi të hiqet Klosi, është indiferent, apo e kundërshton veprimin tuaj? Ai më tha që ganxha ku është lidhur litari i komisionit që ai po e drejtonte ishte lideri simetrik i vendit Nano-Berisha. Atëherë unë i thashë se z. Klosi më e pakta është "arratisur" për pak orë në ndonjë restorant luksoz (apo ndonjë motel), duke bërë qejf me shokët e vet dhe i tregova një anektodë arabe:

Njëherë, para shumë kohësh, vdiq një tregtar i pasur arab, i cili dha shpirt në rërat e Hexhazit, duke transportuar mëndafsh midis Mekës dhe Shamit (Sirisë). Kur po jepte shpirt i tha të birit të merrte ca florinj të fshehur në një nga gamilet, por e porositi, kur e pa lumturinë në sytë e tij nga ky fakt, se qëllimi kryesor i jetës nuk është pasuria por lumturia. Më pas, gabimisht rioshi që nuk e kuptonte lumturinë pa pasuri të madhe, e barazoi lumturinë me pavdekësinë dhe u vendos në një qytezë arabe buzë një liqeni në shkretëtirë, me një prozhm të mrekullueshëm hijerëndë në një kodër mbrapa tij, pa varreza publike. Një kamerier në një mejhane atypari i pati thënë atëbotë djaloshit se këtu nuk vdesin kurrë njerëzit, por pasi i thërret një zë i brendshëm, ata ngjiten lart në kodër dhe më pas përpihen nga hiçi dhe nuk mund të duken më midis njerëzve. Djaloshi vendosi të jetonte këtu me paratë e babait të vet, duke menduar se ai nuk do të shkonte kurrë lart në kodër, kushdo që ta thërriste në vesh. Por me kalimin e kohës, të gjithë po e shikonin me habi rioshin që ishte mplakur, duke u ngjitur një paradite në maloren që të çonte mbrapa tek prozhmi. Ata e pyetën se si e ndërroi mendjen duke e shkelur betimin e tij të vjetër? Ai iu tha atyre se ai nuk kishte ndërruar mendje, por ai nuk i kishte ditur të gjitha kur ishte i ri. Ai tani kishte kuptuar se po ta thirrën emrin ata lart që nuk duken nga shumica dhe po të të shtyjnë nga mbrapa ca forca që nuk i shohin të tjerët, je i detyruar të vesh atje me domosdo. Dhe më pas me këtë argument në dorë, i thashë Takut se po qe se Klosi ka luajtur me korrektesë me Perëndimin gjatë luftës për çlirimin e Kosovës, ai është dhe do të jetë këtu dhe Nano & Berisha nuk kanë se ç‘t‘i bëjnë më tepër, përveç se ta shkarkojnë nga posti i vet.

Ndoshta këtë anektodë tani ja vlen t‘i tregohet z. Klosi dhe atyre që mendojnë si ai për çështjen e koalicionit me PD. LSI mund të konfigurohet në një plan afatgjatë si parti e qendrës dhe asaj do t‘i duhet të jetë balancuesja e pushteteve të ardhshme në vend. Ndaj LSI-së ose do t‘i duhet të ambientohet me këtë skicë-ide që e kthen atë në një David fitimtar të ngahershëm, ose përndryshe ajo do të kuturisë që të jetë herë pas here një Goliath i ngordhur si PS-ja e sotme, kuturisje që mund ta zhdukte atë përfundimisht nga skena politike. Ndoshta i gjithë ekipi i LSI-së, me sinqeritet kishte menduar se nuk do të shkonin kurrë tek "prozhmi" i aleancës me Berishën, por zërat nga lart, më tepër se çdokush tjetër i dëgjon lideri i LSI-së dhe mund t‘i përfytyrojë edhe një pjesë e vogël inteligjente e lidershipit të saj. Nuk përjashtohet fakti se disa të tjerë i bëjnë hov z. Meta në këtë drejtim nisur nga llogari të momentit dhe sipas këndvështrimit pragmatist afatshkurtër në raport me pushtetin. Natyrisht që dueli brenda LSI-së është një matricë me kostot dhe përfitimet e veta sipas të dyja varianteve, por të shikosh vetëm profitin e LSI-së dhe jo profitin kombëtar, është një gjë shumë meskine. Por ta mbash nordin politik te Berisha i ‘97-ës dhe të ngatërrosh kolerën e atij viti me ditët e sotme, duket se është më tepër se një mëkat i madh. Kaq mund të thuhet sipas një trajtimi thjesht mekanik të konfliktit të brendshëm të LSI-së.

Duke mos pretenduar se jam një njohës i mirë i korrenteve dhe i shkallës së përgjegjshmërisë të faktorëve njerëzorë brenda LSI-së për të kuptuar jo vetëm rëndësinë e vendimit të tyre përballë alternativës së stabilitetit apo asaj të anarshisë në vend, por edhe rëndësinë ekzistenciale të LSI-së në sytë edhe të "partisë" më të madhe të abstenuesve dhe të pjesës moderne të elektoratit të të gjitha partive (përjashtim bëjnë vetëm një pjesë e militantëve konservatorë dhe injorantë të krahut të majtë), mendoj se rryma e kundërshtarëve të koalicionit me Berishën nuk është e rastësishme. Në fakt, LSI është e vetmja parti me peshë në vend, lideri i së cilës, z. Meta, nuk duket se mund të akuzohet se ka marrë bekimin e z. R. Alia (nënkupto N. Hoxha) për krijimin e saj. Po kështu, z. Meta nuk ka ndonjë origjinë të afërt gjaku, miqësie apo krushqie me ish-Bllokun. Shumica e liderëve të tjerë të partive politike, si edhe një pjesë e lidershipit të tyre ka qenë e molisur me njerëz të bekuar nga znj. N. Hoxha. Kjo e fundit, pasi kishte dërmuar grupin rival të M. Shehut, i shtriu tentakulat e veta në të gjithë vendin në hapësirën e gjithë viteve 1980, si dhe në "pluralizmin" shqiptar të fillimviteve ‘90. Të vetmit politikanë të rëndësishëm që nuk kanë pasur lidhje me ish-Bllokun, kanë qenë P. Majko dhe I. Meta, të cilët u sponsorizuan nga Perëndimi, pikërisht si aleatët më të sigurt gjatë luftës në Kosovë dhe pas saj. Ata u thirrën në skenën e vogël të historisë së jashtëzakonshme të vendit pas deklaratave të Kryeministrit Nano në prag të fillimit të luftës se "kryeqyteti i Kosovës ishte Beogradi" dhe thirrjes së Berishës ndaj përfaqësuesve kosovarë për të mos i zënë besë Rambujesë. Gjithsesi, nisur nga shprehja se në shtëpinë e të varurit nuk përmendet fjala litar, s‘po vazhdojmë më të ecim në këtë drejtim, duke e mbyllur me faktin e dukshëm se Meta ka qenë një herë një aktor i skenës me regjisurë perëndimore dhe disa nga ekipi i tij, aktorë të mizanskenës së atëhershme. Pas kësaj paranteze të historikut të undergroundit të LSI-së, kuptohet lehtë se lufta kundër aleancës me Berishën, më tepër se me sfond kryesisht teknik, ka të ndryrë brenda saj farën e vjetër të dasive me pjesën antikomuniste. Po të shikosh me kujdes, edhe LSI-ja ka në radhët e saj një pjesë të lidershipit nga familjet e nomenklaturës së lartë dhe konservatorizmi i tyre ideologjik, i bën ata të distancohen nga rremtarët e varkës së kapitenit Berisha. Në këtë rast ata nuk duket se i bëjnë shërbim shtetit, kombit shqiptar, aleatëve perëndimorë, ekuilibrave rajonale, duke braktisur edhe nga pikëpamja pragmatiste shëndoshjen e LSI-së (qëllimi i një partie është materializimi i plotë apo i pjesshëm i programit të saj duke qeverisur) dhe duke synuar për t‘i mbajtur të ngritur velat e LSI-së vetëm nga drejtimi i erës kutërbuese të znj. N. Hoxha. Ata nuk e kuptojnë se një erë e fortë dhe e ngrohtë perëndimore kërkon që I. Meta t‘i nderë velat e LSI-së sipas këtij drejtimi për t‘i dhënë shqiptarëve një qeverisje me mandat sa më të qëndrueshëm dhe të gjatë. Programi LSI-së nuk është lufta ndaj PD-së dhe armikut të përjetshëm S. Berisha, por ardhja në qeverisje dhe materializimi në një nivel sa më të lartë i programit të saj. Ecuria dhe rezultati elektoral i ardhshëm i LSI-së nuk mund të cenohen nga ky vendim, por nga mënyra se si do të qeverisë, nga mënyra se si do të rregullohet ligji elektoral që e ka ndëshkuar dy herë LSI-në në raport me rezultatin e saj real dhe numrin e përfaqësimit në Kuvend, rishpërndarjen e të ardhurave në buxhet, politikat sociale, ambientaliste, pagat minimale, shërbimi shëndetësor, arsimi publik, etj.

Unë mendoj se problemet më të mëdha do t‘i ketë z. Berisha, i cili në fakt është personi i vetëm dhe që ka detyrën më të vështirë për të përmbajtur vrullin "fitimtar" të të vetëve. Ai ndodhet përpara disa vështirësive në ndarjen e tortës së pushtetit të qeverisjes. Përveç 3-4 vendeve kyçe që kërkon LSI (ku mund të llogaritet edhe kryetari i Kuvendit, nëse z. Meta nuk dëshiron postin e ministrit të Jashtëm dhe zv.kryeministrit), një vend e mëton z. Mediu për llogari të aleates PR, - nuni i z. Berisha përtej La Manshit, aty ku është qendra gravitacionale e ndikimit në Shqipëri (Londra dhe Washingtoni). Po kështu z. Berisha ka problemin për një dikaster me partinë BDI. Natyrisht që një makiavelist si Berisha nuk mund të mos tundohej nga ideja për t‘i vënë një kapistër PBDNJ-së nëpërmjet një dikasteri të dhënë për z. Ksera, kukullës së vet të artë me synimin për ta mbajtur të urtësuar Greqinë, me të cilën nuk dëshiron asesi t‘i mbyllë kanatat e bashkëpunimit, edhe pse ajo e braktisi pa ndonjë shkak. Nga të gjithë mëtonjësit e selisë blu, me përjashtim të z. Basha, është e vështirë që postin e ministrit të Jashtëm ta rrëmbejë dikush tjetër, që edhe nëse do të vendosej për shkaqe të brendshme në PD, shumë shpejt mund të përfundonte në Hades, si ish-ministri B. Mustafaj. Tashmë dihet se edhe brenda në Itali, liderë italianë të elitës u tallën me Vatikanin duke kaluar ligjet e abortit dhe të divorcit, qysh me Kraksin. Berisha, politikani më pragmatist i këtyre 20 vjetëve, e di se atij nuk i duhen ministra të Jashtëm që nuk shkojnë dot më tutje se Roma, Vjena, Madridi apo Lisbona.

Po kështu, më interesante duket e ardhmja e PS-së. Kjo është një temë më vete, por shumë shpejt kemi për të parë një ekip "moralistësh pilgrimë" të PS-së me në krye z. Nano, të vendosur në krye të shpurës anti-Rama. Ky i fundit, nëse nuk jep vetë dorëheqje, do ta ketë të vështirë ose edhe të pamundur që t‘i mbijetojë furtunës në territoret e PS-së. Dhëndurë të rinj pritet t‘i paraqiten PS-së, por natyrisht që spikatin pragmatisti Majko (i preferuar ndoshta nga amerikanët), intelektuali Mejdani dhe ndoshta mbi të gjithë, z. B. Blushi, intelektuali pragmatist e sfidant në emancipimin e gjithë shoqërisë shqiptare (edhe ky i përzgjedhur jo rastësisht në treshen që priti në aeroportin e Rinasit Presidentin Xh. W. Bush). Natyrisht që ndërkombëtarët dhe amerikanët do të kenë një rol ndikues në zgjedhjen e suksesorit të Ramës ashtu siç ka pretendime se kanë ndikuar edhe për zgjedhjen e Berishës në krye të PD-së dhe humbjen e rivalit të tij, z. A. Hajdari, në fillim të viteve ‘90.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›