Berati nis festën për hyrjen në UNESCO
Petrika GROSI
Me një ceremony zyrtare ku të pranishëm do të jenë krerët më të lartë të shtetit shqiptar dhe autoritetet e UNESCO-s, sot në qytetin e vjetër të Beratit pritet të startojë festa për pranimin e këtij qyteti në Listën e Trashëgimisë Botërore Kulturore të UNESCO-s. Ekspozita, koncerte me këngë e valle popullore dhe aktivitete të tjera kulturore pritet të zhvillohet në kuadër të këtij kremtimi, ndonëse për të gjitha këto ende mungon informacioni i saktë nga strukturat përkatëse që janë dhe organizatore. Me këtë rast kujtojmë se Berati është pranuar kohët e fundit brenda një dosjeje në seri me Gjirokastrën, në Listën e Trashëgimisë Botërore Kulturore të UNESCO-s. Përpjekjet për të arritur këtë gjë kanë qenë të shumta, e megjithatë, për fat të keq Berati u arrit vetëm të aneksohej dhe të mos kishte dosjen e tij të veçantë në UNESCO. Kjo për shkak edhe se nuk u bë sa duhej nga pala shqiptare, sa i takon krijimit të lobingjeve dhe marketingut, (siç vepruar fqinjët tanë grekë, serbë, malazezë, kroatë, boshnjakë, etj.) Gjithsesi, pranimi i Beratit duhet parë edhe me një sy optimist, pasi në fund të fundit hyrja në listën e UNESCO-s do të ndikojë në një njohje më të gjerë të pasurive të trashëgimisë materiale e shpirtërore shqiptare nëpër botë, por edhe në një ndërgjegjësim më të madh të njerëzve e të qeverive që vijnë e shkojnë, për të investuar dhe për të mbrojtur me fanatizëm traditën, monumentet dhe gjithçka të trashëguar nga e kaluara e ndritur e të parëve tanë.
21 Tetor 2008