E Diel, 1 Nëntor 2026

Kamersolistët e Augsburgut luajnë në Teatrin e Operas



Një nga formacionet gjermane më prestigjioze, me 150 koncerte në të gjithë botën vjen për një turne në Tiranë, Shkodër, Durrës, Fier dhe Korçë. Nën drejtimin e dirigjentit Hermann Mayer, Kamersolistët e Augsburgut do të luajnë pjesë nga Vivaldi, Baku, Moxarti, Shuberti, etj., në sallën e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit në Tiranë. Si solistë në këtë koncert që më pas do të udhëtojë nga kryeqyteti shqiptar nëpër rrethe vijnë Stefan Schwab, Michaela Kuntz dhe Markeljan Koçibelli. Siç thamë, pas Tiranës, (të mërkurën 22 tetor) Kamersolistët e Augsburgut do të shtegtojnë në qytetet kryesore të vendit si Shkodra, Durrësi, Fieri dhe Korça. Sa i takon këtij grupi të njohur të muzikës së dhomës, duhet thënë se kanë një karrierë që fillon këtu e para 19 vitesh. Nga fillimet e muzikës baroke deri tek ajo bashkohore përfaqësohen në koncertet e tyre duke mos lënë pas dore edhe epokat e tjera. I kanë shtuar repertorit të tyre edhe vepra të tjera programatike apo të lidhura ngushtë me letërsinë që kanë lënë gjurmë në kryeveprat e së kaluarës e deri më sot. Një vlerësim të veçantë kanë marrë solistët e Augsburgut lidhur me prezantimin e dorëshkrimeve dhe partiturave historike që i kanë rivlerësuar në jetën artistike duke i nxjerrë në dritë. Kjo si për veprat instrumentore është dhe për Oratoret. Për këtë të fundit kanë themeluar që në vitin 1994 Ansamblin koral të Solistëve të Augsburgut që ka pasuruar akoma më shumë veprimtarinë e tyre. Në vitet që drejtohen nga Mjeshtri Herman Meyer është zgjeruar shumë fryma e bashkëpunimit me shumë artistë të tjerë të shquar gjë që ka rritur suksesin e tyre jo vetëm në Gjermani po dhe jashtë saj. Një diskografi e dixhitalizuar në CD përbën krahas regjistrimeve të autorëve të ndryshëm edhe regjistrime unikale të Kamersolistëve të Augsburgut. Dirigjenti i tyre, maestro Meyer ka marrë formimin muzikor pranë konservatorit “Robert Schumann” të Zvickaut në Universitetin muzikor të Berlinit dhe Hamburgut, e më pas, në një stazh akademik në Paris me mjeshtrin e madh Andre Navarra. Më tej cv-ja e tij është e mbushur me koncerte në teatro dhe orkestra të ndryshme në botë. Në vitin 1987, maestro Meyer do të themelojë grupin Solistët e Augsburgut, për të ecur të gjithë sëbashku drejt suksesit.
P. GROSI

21 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›