E Shtunë, 31 Tetor 2026

Elvir Muriqi në kërkim të një kundërshtari

Pas duelit të 9 qershorit kundër Antonio Tarver, me të cilin i bëri vetes një vend në mesin e boksierëve më të mirë të botës në kategorinë gjysmë të rëndë (megjithëse pësoi humbje me vendim mazhoritar të gjyqtarëve), boksieri shqiptar Elvir Muriqi tani është duke planifikuar duelin e tij të radhës. "Edhe pse ka pasur shumë biseda dhe përpjekje për të organizuar një ndeshje të madhe, kundërshtari ende nuk është vendosur, mirëpo sigurisht që kundërshtarin e rradhës do ta prezentojmë së shpejti. Renditja në mesin e 20 më të mirëve të botës mund t'i sjellë shumë shpejt një tjetër luftë interesante me një Top bokser", thuhet në faqen zyrtare të internetit të "Kosova Kid", i cili aktualisht ka një bilanc prej 34 fitoreve (21 me "knockout") dhe 4 humbjeve. "Edhe pse kanë kaluar disa muaj nga ndeshja e fundit, bokseri ynë Elvir Muriqi është në një formë të mirë, pasi stërvitjet po bëhen rregullisht për të mbajtur një formë sa ma të mirë. Natyrisht që ai pret pa durim një ndeshje tjetër, pasi që vetëm duelet në ring e mbajnë një bokser në top formë, si dhe dhe ofrojnë atë cka presin të gjithë adhuruesit si dhe dashamirët e boksit", vazhdon komenti në faqen zyrtare të "Kosova Kid". 28-vjecari shqiptar është i interesuar për një duel për titull botëror, madje me këtë qëllim kishte zhvilluar edhe një vizitë në Gjermani ku ka shfaqur gadishmërinë për tu përballur me njërin nga dy kampionët e botës që boksojnë në këtë vend (Stipe Drews - kampion në versionin WBA dhe Zsolt Erdei - kampion në versionin WBO). Gjithsesi një gjë e tillë ka pak gjasa të ndodhë pasi për të fituar rastin për të luftuar për një titull bote, Muriqit do t'i duhen edhe një apo dy fitore përballë boksierëve që janë të ranguar lart në renditjen botërore. Sipas të gjitha gjasave Muriqi mund të ringjitet në ring më 1 dhjetor të këtij viti në "Madison Square Garden" në një nga paramecet e duelit Antonio Tarver - George Blades apo më 19 janar të vitit të ardhshëm kur po në "Madison Square Garden" do të përballen Roy Jones Junior dhe Felix Trinidad.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›