E Diel, 1 Nëntor 2026

“Berberët e Ballkanit” dhe Demokracia Liberale

Nga Dorian Koçi

Diku në shkrimet e tij, Konica, kur do të vërë në lojë njerëzit që pretendojnë se kanë pushtet mbi qeveritarët, na dëften për berberët e urës së Gallatës në Perandorinë Otomane. Duke përfituar nga rasti që mehmurët (zyrtarët) e rëndësishëm të perandorisë qetheshin te ata, berberët pretendonin se përftonin informacion “konfidencial” rreth zhvillimit të ngjarjeve në perandori. Këtë informacion ata ua interpretonin njerëzve të thjeshtë si mendime personale, duke fituar në këtë mënyrë adhurimin e klientëve si njerëz të besueshëm të qeverisë.

Në fakt, influenca e tyre nuk mbaronte këtu. Sipas Konicës, te të njëjtët berberë qetheshin e rruheshin dhe konsujt evropianë të Stambollit, prej të cilëve berberët sërish përftonin informacion “konfidencial”, kësaj radhe rreth politikës së madhe botërore.

Shpeshherë berberët pretendonin se vepronin si ndërmjetës midis konsujve evropianë dhe mehmurëve për hartimin e kontratave tregtare midis Portës dhe fuqive evropiane, ose allishverisheve siç i quanin në zhargonin e tyre të përditshëm. Në fakt, përftuesit më të mëdhenj nga këto kontrata apo allishverishe ishin mehmurët, të cilët për t’u mbaruar punë sa më shpejt kompanive tregtare evropiane, nuk mënonin të kërkonin një ryshfet të madh apo favore të tjera të ngjashme. Por edhe berberët nuk dilnin pa gjë, pasi, si ndërmjetës apo sekserë, përftonin nga një ryshfet të majmë. Siç mund të shikohet nga prezenca e shumë fjalëve turke në gjuhët ballkanike, mund të kuptohet lehtë se një pjesë e madhe e berberëve të urës së Gallatës ishin nga Ballkani. Nuk di, nëse këta berberë lanë ndonjë trashëgimi politike në Stamboll apo diku gjetkë në Ballkan, por, si na dëshmon rasti i fundit “Fazlliç” në realitetin shqiptar, kjo specie jo vetëm që nuk ka humbur, por dhe ka lulëzuar tashmë pranë qendrave të mëdha të biznesit si Londra dhe Uashingtoni. Berberët ballkanikë sërish kanë dalë në skenë duke iu ofruar shërbime me leverdi mehmurëve të vendeve ballkanike, duke ripërtëritur me këtë rast zakonin e hershëm të paraardhësve të tyre të urës së Gallatës. Ajo që të trishton më tepër në gjithë këtë allishverish dallkaukësh dhe mehmurësh, është se nën zë këto pazare të pista nuk prezantohen ashtu siç janë, por na pëshpëritet se ky është “haraçi” që Shqipëria duhet të paguajë për integrimet e saj në organizatat euro-atlantike. Me demek, influenca e njohjeve të x apo y “berberi” në rrethinat e Londrës apo Uashingtonit, do të zhbëjë dhe fshijë si me magji problemet e mëdha që ka vendi drejt integrimit!

Në rastin më të mirë ky argumentim është qesharak dhe sigurisht i dalë nga mendje të lehta dhe në rastin më të keq është i rrezikshëm, pasi krijon precedentin e keq të trafikut të influencës që gjithfarë berberësh dhe mehmurësh të gatshëm për përftime do të na i shesin nesër si arritje te demokracisë liberale.

Shqiptarët kanë një eksperiencë të hidhur me sistemet e tyre qeverisëse. Kështu p.sh., në kohën e mbretërisë, edhe pse në Kushtetutë ishte e shkruar se mbretëria shqiptare ishte një mbretëri kushtetuese, nuk ishin të paktë kalemxhinjtë e politikëbërësit që përpiqeshin t’i mbushnin mendjen opinionit se absolutizmi ishte i nevojshëm. Shumë veprime arbitrare gjatë mbretërisë u ndërmorën në emër të “prosperitetit” dhe të bazuar në këtë frymë absolutiste që qarkullonte.

Gjatë kohës së të “famshmes” diktaturë të proletariatit, edhe pse motori i luftës së klasave ishte shuar prej kohësh në vendet që e kishin lindur, në Shqipëri zhvillohej shumë e egër duke mos u dhënë mundësinë shqiptarëve të përjetonin një “socializëm me fytyrë njeriu”, por formën më të egër të tij.

Tashmë, së fundi, në tregun e ideve në Shqipëri qarkullon sërish nën zë opinioni se “korrupsioni është grasua e demokracisë liberale” duke dhënë përshtypjen se korrupsioni dhe evazioni fiskal mund të bashkëjetojnë me demokracinë dhe për më tepër ta ndihmojnë atë! Një analogji e thjeshtë në kohë na çon në përfundimin se si duhej të ishte i papranueshëm absolutizmi për mbretërinë dhe lufta e klasave për socializmin, i tillë duhet të jetë dhe korrupsioni për demokracinë liberale. Shqiptarët nuk kanë nevojë për “berberë ballkanikë” për t’u integruar në organizatat euro-atlantike as për “graso” të tilla për të ndërtuar mirëqenien dhe prosperitetin, por për ndërtimin e institucioneve të pavarura dhe respektimin e shtetit ligjor. Këta dy faktorë janë mushkëritë që sjellin një frymëmarrje të rregullt të demokracisë liberale që së bashku me prosperitetin ekonomik do na çojnë në një integrim më të shpejtë drejt institucioneve euro-atlantike. Trajtimi i çështjes “Fazlliç” do të jetë një gur prove i evoluimit tonë shtetformues dhe kuptimit të demokracisë liberale duke sqaruar saktë, nëse jemi akoma “homos ballkanicus” që me ryshfete dhe bakshishe i lëmë në dorë të “berberëve” fatet tona apo do të dimë të marrim përgjegjësitë që na përkasin duke ndërtuar institucionin e individualizmit të suksesshëm që është në të vërtetë një nga vlerat e atij sistemi që duam të integrohemi. “Koha është gjykatësi më i mirë” dhe natyrisht ajo do ta tregojë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›