E Diel, 1 Nëntor 2026

KE: Qeveria, presion ndaj medieve të opozitës

Nga Tema

Lëvizja G99, duke komentuar qëndrimin e kryeministrit, Sali Berisha, se ai është i gatshëm që të firmosë progres-raportin e Komisionit Evropian, i paraqiti dhjetë pika të raportit Berishës, duke kërkuar që të hedhë firmën mbi to.

1. Në fushën e Integrimit Evropian raporti thotë: “Nuk është bërë progres për të forcuar rolin e parlamentit në monitorimin e zbatimit të detyrimeve që rrjedhin nga marrëveshja e Stabilizim-Asociimit.”

Apo në lidhje me vetë punën e kryeministrit “Komisioni inter-ministrial mbi Integrimin Evropian kryesuar nga kryeministri është mbledhur vetëm 2 herë.”

2. Për administratën publike raporti thotë: “Zëvendësimi i administratës publike si pasojë e presionit politik ka vazhduar. Ligji i statusit të nëpunësit civil nuk është aplikuar në mënyrë sistematike.” Apo “zëvendësimi i vazhdueshëm i nëpunësve civilë rrezikon pavarësinë e administratës publike dhe rrit mundësitë për marrje ryshfetesh nga zyrtarë të lartë.”

3. Në fushën e ndërhyrjes së ekzekutivit në sistemin e drejtësisë raporti thotë: “Parlamenti refuzoi propozimet e presidentit për gjyqtarët e gjykatës së lartë në qershor dhe eventualisht aprovoi një set tjetër propozimesh në korrik. Procesi ngriti dyshime mbi pavarësinë e institucioneve të shtetit nga ekzekutivi”.

4. Mungesa e konsultimit mbi draftin fillestar të ligjit mbi prokurorinë, i cili mbetet për t'u adoptuar, ngriti dyshime mbi pavarësinë e prokurorisë së përgjithshme nga ekzekutivi. Në shumë raste, qeveria është munduar të ndërhyjë në hetimet e prokurorisë duke shkelur kështu parimin kushtetues të përgjegjshmërisë ndaj ligjit.

5. Mbi korrupsionin raporti thotë: “Perceptimi mbi korrupsionin është përmirësuar; Gjithsesi korrupsioni vazhdon të mbetet një problem veçanërisht serioz në Shqipëri” – është e çuditshme që raporti shpreh krejt të kundërtën e asaj që deklaron kryeministri – që perceptimi është i lartë, por korrupsioni është ulur.

6. Mbi lirinë e mediave e shprehimisht për KKRT raporti shprehet: “Presion selektiv është ushtruar mbi media të orientuara nga opozita”, si dhe me shprehimisht “Këshilli Kombëtar i Radiotelevizionit ka vazhduar të vendoset përballë akuzave për favorizim politik të mediave që përkrahin qeverinë”.

7. Për emigracionin e paligjshëm raporti thotë shprehimisht se “…emigrimi i paligjshëm vazhdon të ngelet një problem domethënës, veçanërisht në kufirin mes Shqipërisë dhe Greqisë.”

8. Pavarësisht pretendimeve të qeverisë për luftën kundër krimit të organizuar dhe trafikimit të drogës, në raport thuhet: “Kapaciteti hetues dhe shtrëngues i Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë së Përgjithshme mbetet i dobët.” Si dhe “krimi i organizuar vazhdon të jetë një problem serioz në Shqipëri. Në këtë aspekt, Shqipëria gjithashtu vazhdon të ngelet një vend burimor për trafikimin njerëzor.”

“Trafiku i lëndëve narkotike vazhdon të ngelet një shqetësim serioz, dhe Shqipëria konsiderohet si një vend burimor për kanabisin.”

9. Mbi punën e forcave të rendit raporti thotë: “Puna e policisë është ndikuar shumë negativisht prej fenomenit të largimit të oficerëve të trajnuar e kompetentë nga postet e tyre.” “Në Shqipëri shumë krime nuk raportohen, dhe numri i ulët i krimeve të raportuara nuk merr asnjë shpjegim zyrtar.”

10. Mbi ekonominë e tregut, të cilën kryeministri kinse e ka zemër, raporti thotë: “Funksionimi i ekonomisë së tregut mbetet seriozisht i shtrembëruar nga oferta e pasigurt e energjisë, drejtësia e dobët, pasiguria në lidhje me të drejtat mbi pronat dhe ineficiencat prezente në kuadrin ligjor për bizneset.”

“Nuk mund të konceptohet një ekonomi tregu pa një treg kapitalesh – asnjë kompani nuk është listuar gjatë këtyre viteve në Bursën e Tiranës, pavarësisht privatizimeve të mëdha.” Apo “Shqipëria ka sot mungesa në të gjithë hapat e tjerë të intermedimit financiar, duke treguar se nuk ka asnjë përpjekje për ngritje kapacitetesh, nuk ka patur sukses në këta sektorë”

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›