E Diel, 1 Nëntor 2026

Pse humbi McCain?

Nga Andrew F. Tully, RFE

Disa thonë se John McCain ka humbur për shkak të keqmenaxhimit, të tjerët besojnë se ai as që ka pasur gjasa të fitojë.

Norman Ornstein, një vëzhgues veteran i proceseve politike në Institutin Amerikan në Uashington, thotë se fushata e zotit McCain kishte fat të keq që nga fillimi.

Ai thotë se në një periudhë, lufta në Irak ishte çështje fitimtare për republikanët, sepse me të votuesit rikujtoheshin se McCain ka qenë hero lufte, që do të merrte pozicione të guximshme dhe dikush që ka përvojë të thellë mbi politikën e jashtme.

Sipas zotit Ornstein, problemi ishte se njerëzit fokusoheshin pozitivisht te McCain vetëm kur lufta ishte çështje kyçe. Por, në shtator, dy muaj para zgjedhjeve, vëmendja e elektoratit u zhvendos në mënyrë dramatike tek ekonomia, një prej pikave më të dobëta të McCain.

“John McCain, gjatë 26 vjetëve të tij në Kongres, ka qenë i interesuar në shumë çështje: politikë të jashtme, zbulim, çështje ushtarake, komunikim, reformim të financimit të fushatave, ngrohje globale… Çështjet ekonomike thjesht nuk ishin në axhendën e tij. Ky nuk ka qenë vit i mirë për të pasur mungesë pasioni mbi ekonominë apo për të pasur një sërë planesh që ndërlidhen ngushtë me presidentin jopopullor”, - thotë zoti Ornstein.

Robert Spitzer pajtohet me këtë. Spitzer është profesor i shkencave politike në Universitetin shtetëror të New York-ut. Ai rikujton një koment të famshëm të zotit McCain gjatë fushatës, kur pati thënë se ekonomia nuk është diçka, të cilën ai e kupton aq sa duhet.

“Fushata e hershme e zotit McCain është fokusuar më shumë në çështje të politikës së jashtme; debati i parë presidencial ishte në frymë të këtyre çështjeve dhe e gjithë kjo shkoi në favor të zotit McCain. Gjëja e parë që McCain pati thënë me kolapsin në Wall Street ishte se themelet ekonomike të vendit ishin të palëkundshme”, - thotë zoti Spitzer.

Por, a mund ta ketë tejkaluar këtë kthesë të pafat zoti McCain nëpërmjet një fushate më të mirë?

Po, thotë Bill Frenzel, një republikan i pensionuar, i cili për 20 vjet ka përfaqësuar Minesotan në Dhomën e Përfaqësuesve.

Frenzel thotë se McCain në disa raste ka braktisur pavarësinë e tij për të fituar mbështetjen e shumë republikanëve dhe votuesve të papërcaktuar.

“Senatori McCain ishte në një pozicion të palakmueshëm të sfiduesit, personit që në sondazhe dilte i dyti dhe i cili duhej të ngjitej lart. Për ta arritur rivalin, duhet bërë diçka ndryshe, prandaj McCain është dashur të adoptohet në kushte të ndryshme dhe të bëjë gjëra, të cilat nuk do t'i bënte, po të ishte i pari në sondazhe”, - thotë zoti Frenzel.

Sipas tij, një prej gjërave që McCain ka bërë për të ndihmuar fushatën, është zgjedhja e guvernatores nga Alaska, Sarah Palin, si bashkë-garuese. Ajo fillimisht i dha një dinamikë tjetër fushatës së McCain-it dhe ndihmoi pozicionin e tij në sondazhe, por, më vonë, numrat filluan të tregojnë se emri i saj në fletëvotim shtyu prapa kandidaturën e zotit McCain.

Sidoqoftë, ndoshta në ndonjë vit tjetër, gara për të trashëguar një president tjetër, me çështje të ndryshme, për McCain-in do të ishte e lejueshme e madje edhe e suksesshme. Por, këtë vit, megjithatë, ai dukej thjesht vetëm si një sfidues.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›