E Diel, 1 Nëntor 2026

Një “usta i vjetër” në politikën e jashtme si zëvendëspresident

Nga Rüdiger Paulert

Në Springfield, në shtetin Illinois, Barack Obama prezantoi zëvendësin e vet. Këtu filloi karriera politike e Abraham Lincoln-it. Këtu e shpalli Obama kandidaturën e tij.

Një peshë e rëndë në politikë. Prej 35 vjetësh në Senatin e Shteteve të Bashkuara. Në këtë mënyrë ai ka përvojën shumëvjeçare që iu mungon kritikëve të Barack Obamës. Prej vitit 2001, Joe Biden është kryetar i Komisionit për Politikë të Jashtme të Senatit dhe zotëron kështu njohuri të thella mbi politikën e jashtme amerikane. Pa dyshim ai mbulon fushën ku donte të shënonte pikë kundërshtari i Obamës, John McCain. Dhe ai pajtohet me Obamën në një çështje tepër vendimtare: Të dy e refuzojnë luftën e Irakut. Joe Biden nuk e ka kritikuar presidentin Bush vetëm për fushatën e tij ushtarake, por vazhdimisht edhe për strategjinë e zgjedhur më pas:

“Ai dërgon trupa në një luftë civile dhe nuk mjafton kjo, por i vendos në qendër të konfliktit në Bagdad. Për mua ky është një gabim tragjik.”

Gjatë fushatës zgjedhore Joe Biden i mbulon krahët Obamës. Kompetent, gjuhëshpatë, nganjëherë plot humor. Në fakt, nuk zgjoi valë të tilla interesimi si kandidatja tjetër për zëvendëspresidente, Sarah Palin, por ai është garant stabiliteti dhe jo i gatshëm për ta kthyer fushatën zgjedhore në kacafytje. Madje, një herë ai distancohet publikisht prej një reklame të ekipit të vet. Në të McCain akuzohet se nuk di të përdorë kompjuterin.

Karrierën e tij profesionale Joe Biden e fillon si avokat. Sapo mbush 31 vjeç ai hyn në Senat për shtetin e vogël Delaware, jo larg kryeqytetit amerikan. Këtu ai merret fillimisht me çështje të mbrojtjes së konsumatorëve dhe të mjedisit. Në vitin 1987 ai kërkon të kandidojë për postin e presidentit. Shumë ekspertë mendojnë se mundësitë e tij janë të mira.

Por atij i duhet shpejt të tërhiqet, kur zbulohet se i ka kopjuar fjalimet zgjedhore nga udhëheqësi i laburistëve britanikë, Nel Kinnock dhe nga Robert Kennedy. Me këtë ai s'puth më njëherë në partinë e vet. Vetëm vite më vonë bëhet kryetar i Komisionit të Drejtësisë dhe më pas kryetar i Komisionit të Jashtëm.

Joe Biden është i martuar për herë të dytë me një mësuese. Gruaja e tij e parë dhe një vajzë humbën jetën në një aksident automobilistik. Dy djemtë nga kjo martesë ai i rrit vetë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›