E Diel, 1 Nëntor 2026

KE: Të zbardhet deri në fund çdo dyshim rreth aferës së Gërdecit

Nga Armand Maho

Progres-raporti vjetor i Bashkimit Evropian për vendin tonë thekson se korrupsioni vazhdon të mbetet i përhapur gjithandej, ndërsa ka kërkuar që të zbardhen të gjitha dyshimet për aferën e Gërdecit.

I publikuar ditën e djeshme, raporti i është dorëzuar autoriteteve më të larta në vend.

Ndër shqetësimet kryesore të Bashkimit Evropian duket se është pavarësia e institucioneve në vendin tonë.

Në raport theksohet se përplasja e parlamentit me presidentin për Gjykatën e Lartë ishte një shenjë e qartë e ekzekutivit për të vënë nën kontroll institucionet e tjera.

Po ashtu, duke folur për reformën në drejtësi theksohet se qeveria po tenton që të vërë nën kontroll këtë pushtet nëpërmjet nismave ligjore.

Krimi i organizuar vazhdon të jetë një problem serioz për vendin tonë, thuhet në raport. Gjithashtu, probleme të tjera, si pamundësia për të luftuar pastrimin e parave, që është një problem kyç në Shqipëri, trajtohen në raport.

Edhe në një pikë delikate, siç është emigrimi ilegal, Shqipëria merr një notë negative. Në këtë drejtim Shqipëria vazhdon të ketë shumë shpresa se mund të realizojë liberalizimin e vizave, por gjuha në raport duket se e largon një gjë të tillë.

Për sa i përket ekonomisë, raporti thekson se rritja ekonomike është e mirë, por ngre një problem shumë të rëndësishëm, atë të hendekut të pasurisë, kur thotë që niveli i të ardhurave është ulur.

Krahas me raportin, KE ka dorëzuar dhe Strategjinë e Komisionit Evropian për Zgjerimin, që thekson se vendet e Ballkanit Perëndimor kanë shanse për të qenë në listën e kandidatëve, gjithmonë nëse plotësojnë kushtet. “Strategjia e zgjerimit e Komisionit Evropian thekson se ecuria përpara e vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian mund të përshpejtohet, por në qoftë se këto vende plotësojnë kushtet e nevojshme. Kjo do të thotë që vendet potencialisht kandidate për Bashkimin Evropian, pra këto vende që demonstrojnë gatishmërinë e tyre, mund të arrijnë statusin e vendeve kandidate.

Strategjia e zgjerimit e Komisionit Evropian thotë se, në qoftë se vendet e Ballkanit Perëndimor arrijnë të përmbushin disa kushte të caktuara, sigurisht që kjo do të shihet për secilin nga vendet e Ballkanit Perëndimor, atëherë Komisioni Evropian mund të propozojë që të hiqen detyrimet e vizave gjatë vitit 2009”, - tha ambasadori i KE në Tiranë, Helmuth Lohan, gjatë dorëzimit të raportit dhe strategjisë kryeministrit Sali Berisha.

Pjese nga raporti

Parlamenti

- Më shumë duhet bërë për të përmirësuar dialogun konstruktiv mes partive politike

- Nuk është bërë progres në përmirësimin e rolit të parlamentit në monitorimin e implementimit të detyrimeve të MSA

- Marrëdhëniet mes parlamentit dhe presidentit u bënë të vështira gjatë një periudhe. Parlamenti rrëzoi kandidaturat e presidentit për në Gjykatën e Lartë, të cilat u miratuan gjatë një raundi të dytë. Ky proces rriti shqetësimet për pavarësinë e institucioneve të shtetit nga ekzekutivi.

- Përgatitjet për listat e votuesve përpara zgjedhjeve duhet të bëhen me transparencë dhe eficiencë.

Administrata publike

- Zëvendësimi i shpeshtë i nëpunësve civilë po minon pavarësinë e shërbimit civil dhe po rrit mundësitë për ryshfete te zyrtarët publikë.

Sistemi gjyqësor

- Në mars të vitit 2008, një Pakt Kombëtar për Drejtësi u mbështet nga partitë kryesore politike. Megjithatë, një strategji dhe vizion për reformë të qartë në gjyqësor, që shkon përtej adoptimit të pjesëve individuale në legjislacion, mungon.

- Progres mund të raportohet me miratimin në shkurt të vitit 2008 të ligjit për organizimin e gjyqësorit që vendos një sistem pagash dhe meritash për emërimet në gjyqësor. Megjithatë, ligji dështoi që të qartësojë kompetencat e ndara për Inspektoratin e Ministrisë së Drejtësisë dhe Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Kjo ngre shqetësime serioze për pavarësinë e gjyqësorit.

- Në prill 2008, një marrëveshje bashkëpunimi u nënshkrua nga Prokuroria e Përgjithshme dhe Policia e Shtetit për përmirësimin e hetimeve. Megjithatë, kapaciteti hetues i prokurorisë vazhdon të jetë i dobët.

- Përgjithësisht, ka patur progres të kufizuar në reformën për sistemin e drejtësisë. Megjithatë, sistemi i drejtësisë vazhdon të funksionojë dobët për shkak të problemeve me pavarësinë, besueshmërinë dhe transparencën.

Politikat antikorrupsion

- Përpjekje të mëtejshme janë bërë në luftën kundër korrupsionit. Perceptimi për korrupsionin është përmirësuar, megjithatë korrupsioni vazhdon të jetë veçanërisht një problem serioz në Shqipëri.

- Shqipëria nuk ka autoritete mbikëqyrëse dhe auditimi të forta dhe të pavarura.

- Përpjekje janë bërë për të reduktuar mundësitë për korrupsion në fusha të tilla si taksat, shërbimet e biznesit, regjistrimi i pasurive dhe prokurimet publike. Megjithatë, rezultati dhe impakti i këtyre procedurave mbetet për t’u vlerësuar.

- Nuk ka një kuadër institucional efektiv për të koordinuar, monitoruar dhe implementuar politikat antikorrupsion në administratën publike.

- Kapacitetet hetimore të agjencive të zbatimit të ligjit për çështjet e korrupsionit vazhdojnë të jenë të limituara.

- Shpërthimi i depove të municionit në Gërdec në mars të vitit 2008, është nën hetim për mungesë të rregullave të sigurisë dhe mbrojtjes së jetës. Të tjera dyshime, për sa i përket këtij aksidenti, lidhen me trafik të armëve dhe korrupsion. Ministri i Mbrojtjes i asaj kohe u pushua dhe iu hoq imuniteti. Për të siguruar besueshmëri në luftën ndaj korrupsionit, dyshimet rreth kësaj çështjeje duhet të trajtohen dhe të çohen deri në fund si pjesë e procesit të hetimit që po vijon.

- Në përgjithësi, Shqipëria ka vazhduar të trajtojë problemin e korrupsionit, një prioritet kyç për Partneritetin Evropian.

Megjithatë, angazhimet e deklaruara të autoriteteve duhet të mbështeten me implementime rigoroze, sepse korrupsioni vazhdon të jetë i kudondodhur.

Ekonomia

- Rritja ekonomike ka qenë e fortë dhe me ritme të shpejta, ndërkohë që niveli i përgjithshëm i të ardhurave ka mbetur i ulët.

- Bilanci i jashtëm është përkeqësuar, duke e çuar deficitin në 10,6% në vitin 2007 nga 6,5% që ishte në 2006.

- Në total hyrja e kapitaleve neto është rritur, megjithatë përsëri ka qenë e ulët.

- Zgjerimi i vazhdueshëm i llogarisë aktuale të deficitit kërkon rritjen e kapitaleve hyrëse, të cilat mund të frenohen për shkak të rënies ekonomike botërore.

- Administrimi i financave publike është përmirësuar, por pozita e fiskut është dobësuar si pasojë e planeve ambicioze të investimeve publike.

Drejtësia, liria dhe siguria

- Përgjithësisht, emigrimi ilegal vazhdon të jetë një problem domethënës, veçanërisht në kufijtë shqiptaro- grekë.

- Progres i kufizuar është bërë në betejën kundër pastrimit të parave, që vazhdon të jetë një problem madhor.

Përgjithësisht, përgatitjet në betejën kundër pastrimit të parave janë në një fazë fillestare.

- Ka patur një progres të kufizuar në luftën ndaj drogave, por trafiku i drogës vazhdon të jetë një shqetësim serioz.

Përgjithësisht, Shqipëria po bën progres të moderuar në luftën ndaj drogave.

- Progres i kufizuar mund të raportohet në luftën kundër krimit të organizuar, që është një prioritet kyç për Partneritetin Evropian. Strategjia kombëtare për luftën ndaj krimit të organizuar është miratuar në korrik 2008, por mbetet për t’u implementuar. Krimi i organizuar vazhdon të jetë një problem serioz në Shqipëri.

- Vështirësitë në bashkëpunimin mes policisë dhe prokurorisë vazhdojnë të dëmtojnë luftën ndaj krimit të organizuar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›