Mosbesimi për zgjedhjet dhe mosbesimi për grevat e urisë
Partitë që mund të mos përfshihen në dy koalicionet e mëdha zgjedhore rrezikojnë të mbeten të papërfaqësuara në komisionet e zgjedhjeve, që nga ai qendrori deri te komisioni i qendrës së votimit. Ndryshimet e propozuara në Kodin Elektoral iu japin të drejtë të plotë dy partive kryesore, që përveç anëtarëve të tyre, të diktojnë dhe anëtarët që llogariten si përfaqësues të partive të vogla. Arsyetimi formal buron nga fakti se parti të dyta pas PD dhe PS quhen PSD dhe Partia Republikane, të cilat, të stimuluara nga sistemi i Dushkut, kanë një sasi formale të madhe votash në vitin 2005. Ky rregull përjashton LSI dhe LZHK, dy parti të dyta respektive nga e majta dhe e djathta, të jenë të përfaqësuara në komisionet e votimit.
Struktura e komisioneve do të jetë me 7 anëtarë, nga të cilët 4 i cakton PS me PD, pra, secila nga dy anëtarë, të pestin e cakton një parti e vogël e djathtë që ka mbështetje të PD, të gjashtin një parti e vogël e majtë që ka mbështetje të PS, dhe të shtatin e propozon shumica pas një procesi skualifikues që bën opozita. Kjo skemë ndiqet deri te komisioni i qendrës së votimit.
Sipas kësaj formule, çdo parti e vogël e majtë apo e djathtë që nuk i ka raportet e mira me dy partitë e mëdha, mbetet pa anëtarë komisioni. Dhe ky është realisht një problem, jo vetëm për këto zgjedhje, por dhe proceset e ardhshme zgjedhore, kur skena politike mund të ndryshojë.
Skema, së pari, nuk është korrekte që i referohet një rezultati të deformuar politik siç është ai i Dushkut. Sipas atij rezultati, republikanët dhe socialdemokratët janë parti kryesuese të mëdha në vend, por askush nuk e ka marrë të mirëqenë këtë fakt për tri vite. Nëse republikanët do të ishin vlerësuar për aq vota sa kanë marrë formalisht, ata duhet të kishin sot kryeministrin. Duke qenë se rezultatet proporcionale të 3 korrikut janë të deformuara, nuk mund të ndërtohet një legjislacion i ri zgjedhor që tenton të korrigjojë defektet dhe të mbështetet te rezultati i atyre defekteve. Shihet qartë se në mendjen e dy partive të mëdha është përjashtimi i të pabindurve nga e drejta për t’u përfaqësuar në komisionet e votimit dhe ky është një defekt serioz i Kodit të ri Elektoral.
Nga pikëpamja politike, skema është denigruese, pasi fut nën presion çdo parti të majtë apo të djathtë që nuk është dakord me Berishën apo Ramën, të futet në koalicion me ta. Nëse LSI apo LZHK p.sh., do të bëhen pjesë e koalicioneve të mëdha, problemi i përfaqësueseve në komisionet e votimit realisht bie, pasi dy partitë e mëdha mund t’u japin mbështetje respektive për kandidatët e tyre për komisionet e votimit. Por problemi është se këto dy formacione politike serioze si palë të dyta në zgjedhje bashkë me aleatët e tyre nuk duan të bashkëpunojnë me dy partitë e mëdha dhe për këtë arsye po ndëshkohen me ligj. Ky është një persekutim i qartë politik. Në vitin 2006 dy partitë e mëdha u detyruan të ndërhyjnë në Kushtetutë për t’u shtuar nga një anëtar LSI dhe demokristianëve, çka ishte një teprim i dukshëm, por që u arrit pas krizës në Kuvend, kurse tani po u hiqet me ligj një e drejtë elementare dhe realisht demokratike, që do të ndihmojë çdo forcë të re jashtë dy blloqeve kryesore të konkurrojë normalisht në politikë.
Dhe, së fundi, përjashtimi i tyre tendencioz do të dobësojë praktikisht në opinion opozitën kryesore në vend, pasi ajo e ka për mision qenien e saj si kujdestare e rregullave të ndershme të lojës, edhe kur ato nuk i përkojnë me interesa të çastit. Fakti që opozita më e madhe në vend po përdor konsensusin me shumicën për të prodhuar një defekt të rëndë në rregullat e lojës demokratike, do të jetë një kosto për të.
Nga ana tjetër, prishja e klimës së besimit te zgjedhjet është një kosto e rëndë për qeverinë, e cila është përgjegjëse për zgjedhjet. Por paralajmërimet ekstreme për grevë urie janë nga ana tjetër një mjet jopolitik për ta zgjidhur këtë krizë. Beteja për të fituar një të drejtë që u takon duhet të përqendrohet në Kuvend, në opinion publik dhe deri te protestat në rrugë. Futja në grevë urie mund ta karikaturizojë situatën dhe ta zvogëlojë rëndësinë reale që ka kjo e drejtë legjitime e tyre. Ky defekt i qëllimshëm mund të infektojë më shumë se sa mendohet garën dhe mund t’i kushtojë më shumë se sa mendohet qeverisë për imazhin e vendit dhe përgjegjësinë e saj për procesin. Mbi të gjitha, ajo po faktorizon me këtë gjest një pakicë politike, e cila është në kërkim të arsyeve për t’iu treguar shqiptarëve se persekutohet politikisht nga një aleancë e pashenjtëruar mes dy të mëdhenjve. Dhe kjo jo vetëm që do t’i rrisë ata politikisht, por dhe në rast persekutimi do të fshehë ndoshta dhe fuqinë reale të tyre. Mosbesimi për zgjedhjet, i cili duket se ka nisur, rrezikon ta hedhë atë në erë si proces, po ashtu si greva e urisë e paralajmëruar mund të hedhë në erë e ta karikaturizojë të drejtën e partive politike që po persekutohen nga kjo aleancë e pashenjtë.