Berberi: Kukësi e ka kualitetin për të marrë kreun
Me blerjet që janë realizuar nga presidenca në merkaton e dimrit, do të synojmë të jemi të parët. Duke nisur me Butrintin të gjitha janë finale
Trajneri i Kukësit, Shahin Berberi, pasi ka punuar për afro një muaj me skuadrën e tij, në ndeshjen e sotme me Butrintin kërkon tri pikët. Kukësi hyn në fazën e dytë me 4 përforcime cilësore që, së bashku me bërthamën e fazës së pare, do të përbëjnë një asambël kompakt për gjysmën e dytë të kampionatit, që parashikohet më e vështirë. Në një prononcim për Sportin shqiptar një ditë para nisjes së fazes së dytë, trajneri Berberi ka pohuar:
Jemi stërvitur për më shumë se një muaj intesivisht, ku kemi zhvilluar edhe disa ndeshje miqësore. Në përgjithësi kam mbetur i kënaqur nga skuadra ime dhe nga blerjet, duke qenë se janë përshtatur shpejt me pjesën tjetër të lojtarëve. Kukësi, ndryshe nga disa ekipe të tjera, ka zgjedhur një strategji ndryshe në merkato.
Nuk jemi turrur për të afruar lojtarë me emër, por kemi kërkuar elementë që na bëjnë punë dhe djersijnë në stërvitje, si dhe ndeshjet zyrtare. Jemi plotësuar në ato reparte të fushës ku ne kemi pasur më shumë nevojë. Por, duhet që të gjithë të bëjmë akoma më shumë, duke filluar që nga sot, kur ne kemi ndeshjen e parë të fazës së dytë me Butrintin dhe patjetër duhet që ta fitojmë.
Fillimi i mbarë është sa gjysma e punës, kështu duhet që fazën e dytë të bëjmë sa më shumë kujdes. Butrintin e vlerësoj si ekip, por për vetë objektivat që ne kemi duhet patjetër të marrim tri pikët sot, pasi luajmë në sytë e publikut tonë të zjarrtë, i cili ka kohë që pret të shohë skuadrën dhe blerjet e reja.
Për hir të së vërtetës, ne kishim planifikuar të vijonim stërvitjet në Kukës, qysh përpara dy javëve, por moti i ftohtë dhe reshjet e borës na detyruan të vazhdonim përgatitjen në Tiranë, – pohoi fillimisht trajneri i kuksianëve, Shahin Berberi.
Rivalët Më tej, i pyetur për rivalët dhe merkaton që ata kanë zhvilluar, trajneri kryeqytetas ka shtuar: Më shumë merrem me punët e skuadrës sime se me ecurinë e rivalëve. Por, e kam thënë edhe më parë se kategoria e parë është shumë e fortë, pasi konkurrenca si për kreun ashtu edhe për ekipet që duan mbijetesën është e madhe. Tashmë ne kemi eksperiencë dhe nuk jemi si në startin e sezonit.
Jam i bindur që Kukësi, falë mbështetjes së presidencës, punës tonë si staf, lojtarëve cilësorë që gjithmonë japin maksimumin, paharruar edhe tifozët tanë të zjarrtë, do e thotë bindshmë fjalën e tij edhe në këtë fazë, madje jam i bindur që do të jetë më i fortë dhe si synim kemi kreun e klasifikimit, – tha në mbyllje të fjalës së tij trajneri i kuksianëve, Shahin Berberi.