E Diel, 1 Nëntor 2026

Magani: Besa e kompletuar, mund të kalojë çdo sfidë

Nga Leonard Dushku 

Trajneri peqinas, Gugash Magani, ka besim të plotë tek ekipi që ka krijuar për fazën e dytë dhe pret trepikëshin e pare në Ersekë
Besa e ndryshimeve të mëdha gjatë përgatitjeve diëmërore e nis gjysmën e dytë të kampionatit në Ersekë, ku sot e pret Gramozi, ekipi që në startin e kampionatit i shkaktoi një humbje të papritur. Por tashmë llogaritë bëhen me laps në dorë dhe kavajasve nuk u lejohet të shpërdorojnë të tjera pikë, nëse duan të kthehen në superligë.

Trajneri Gugash Magani e konsideron favorit ekipin e tij, edhe pse pranon se është një transfertë e vështirë kjo me Gramozin. Duam ta nisim fazën e dytë me fitore dhe e kemi të qartë se në Ersekë na pret një ndeshje e vështirë. Kam besim te ekipi im dhe mendoj se do të arrijë të shprehet si duhet në Ersekë, ku nuk na falet të gabojmë.

Besa ka punuar dhe ka ndryshuar gjatë fazës përgatitore dhe mendoj se i kemi të gjitha mundësitë të kthehemi në superligë. E konsideroj ekipin të kompletuar dhe, pa dyshim, që lojtarë si Poçi, Mihani, Dragusha, Dhëmbi dhe Frashëri, bashkë me gjithë të tjerët, do të bëjnë të mundur që ekipi ynë ta mbyllë kampionatin në dy vendet e para.

Personalisht, nuk kam aspak frikë, ndërkohë që i gjithë grupi e ka të qartë se duhet të japë maksimuin në fushë në çdo ndeshje, duke nisur nga kjo me Gramozin, u shpreh trajneri peqinas i Besës, Magani. Edhe opinioni sportiv në Kavajë beson se Besa e fazës së dytë është më e fortë dhe do të arrijë të ngjitet të paktën në vend të dytë për të siguruar një biletë superlige pa pasur nevojë për ndeshje shtesë.

Ndryshe nga faza e pare, kavajasit kanë një grup më cilësor, pas ardhjes së Dragushës, Frashërit dhe Ziambos. Besës I duhet të rikuperojë së paku diferencën prej 4 pikësh me Kukësin e vendit të dytë. Transferta e sotme do të jetë një tregues i qartë për forcën e ekipit kavajas.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›