Dede: Luftëtari të respektojë veten për objektivin final!
Trajneri i gjirokastritëve, Nevil Dede, mendon se ekipi i tij do të gjejë ambientin e duhur në Vlorë për të luajtur një ndeshje të vërtetë futbolli
Ekipi kryesues i kategorisë së parë, Luftëtari, ndeshet sot me Vlorën, në fushën e saj. Vlonjatët erdhën në Gjirokastër në çeljen e kampionatit dhe e tronditën jo pak Luftëtarin, që atëherë nuk dihej se do të rezultonte pretendenti kryesor për superligën. Ndeshja e sotme do të jetë premjera e trajnerëve Dede dhe Novi, si dhe e futbollistëve Hithi, Nino dhe Strati.
Gjirokastritët shkojnë në Vlorë me prestigjin dhe autoritetin e kryesuesit dhe, duke e respektuar ekipin vendës për vlerat në perspektivë, pretendon fitoren për të pasur avantazhin të paktën të 3 pikëve në ndeshjen e prapambetur me Kukësin rival.
Dede Nevil Dede, me 18 trofe si futbollist (9 tituj kampion, 6 Kupa të Shqipërisë dhe 3 superkupa), që përbën edhe sublimen për historinë e trajnerëve të Luftëtarit, me të cilin mund të fitojë një titull kampion të kategorisë së parë, sot do të ketë ndeshjen e parë zyrtare dhe për të shprehet: Ndeshjen me Vlorën e vlerësojmë maksimalisht. E rëndësishme është që futbollistët tanë të përpiqen me të gjitha energjitë e tyre të mundëshme.
Dihet që faza e dytë e kampionatit, veçanërisht ndeshjet jashtë fushe, do të jenë të forta, por ndonjëherë edhe të egra. Për ndeshjen në fjalë shpresoj dhe besoj për një lojë të vërtetë futbolli, sepse Vlora ka ambient të qetë për vetë faktin se është klub i organizuar mirë dhe historia tregon se në atë qytet ekipet kundërshtare priten miqësisht.
Parimi ynë i frymës së grupit është që të respektojmë dhe të vlerësojmë çdo kundërshtar për vlerat që ai mbart, por mbi të gjitha duhet të respektojmë veten tonë, duke dhënë më të mirën që posedojmë për ta realizuar objektivin final.
Armata e luftëtarëve të Argjirosë, me në krye gjeneralin Dede, është nisur dje, në orën 14:00, për në qytetin bregdetar. Grupi përbëhej nga 18 lojtarë, midis të cilëve Selimajn, Devolli dhe Nora, të cilët me siguri do të jenë protagonistët e suksesit të mundshëm.
