E Diel, 1 Nëntor 2026

Elbasani, goleadë në start për të bindur edhe skeptikët

Nga Elton Karaj

Verdheblutë janë të bindur për fitoren dhe synojnë të shënojnë sa më shumë për të qenë në formë para transfertës së Gramshit

Skuadra e Elbasanit ka mbyllur dje përgatitjet për ndeshjen me  Skraparin, që e pret në stadiumin Ruzhdi Bizhuta. Ndeshja është  vlerësuar maksimalisht dhe të gjithë në kampin verdheblu janë të mendimit se fitorja nuk duhet vënë në diskutim. Elbasani, jo vetëm që synon ti ketë 0 kolonat e barazimeve dhe humbjeve në fushën e tij këtë kampioant, por edhe të fitojë jashtë për të qenë në fund në 5-shen e parë.

Verdheblutë mbajnë vendin e 6-të dhe i kanë të gjitha mundësitë që të paktën të ngjisin një shkallë në tabelë. Një skuadër me traditë dhe futbollistë me përvojë si Elbasani duhet ta tregojë veten në ndeshjet e vështira, siç parashikohen të jenë ato të fazës së dytë. Rruga drejt superligës fillon sot dhe, si për të dhënë sinjalin se po kthehen, verdheblutë synojnë goleadën. Ata duan të bindin edhe skeptikët, që kjo skuadër është e aftë të rivalizojë.

Mungesat Për ndeshjen e sotme trajneri File pritet të aktivizojë mesfushorin Dorian Bylykbashi, sepse nuk është ende gati fizikisht dhe stafi teknik nuk dëshiron të rrezikojë. Gjithashtu, të padisponueshëm për trajnerin File janë mbrojtësit Bella, Kacollja dhe Dosti, si dhe sulmuesi i ri Tafani, të gjithë për arsye dëmtimi.

Këto mungesa do të mbulohen nga lojtarët e ardhur në merkaton e dimrit, të cilët e kanë rritur jo pak konkurrencën brenda grupit. Kështu, pavarësisht mungesave, për stafin e Elbasanit nuk ka më  dhembje koke. Të gjithë të tjerët janë të gatshëm dhe shprehen të bindur për fitore me Skraparin, madje ata mendojnë më shumë për ndeshjen e javës së ardhshme me Gramshin, një transfertë delikate dhe përcaktuese për objektivin e verdhebluve.

Elbasani pritet të nisë ndeshjen e sotme me këtë formacion: në portë Ruçi, në mbrojtje Ibrahimi, Mërtiri, Sekseni dhe Mehmetaj, në mesfushë Gava, Dalipi, Kuçi, Kaçuli dhe Merxha, dhe në sulm i vetëm Galica.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›