Berberi: Kukësi, i pandalshëm fazën e dytë
Mbrojtësi Besmir Berberi shpreh bindjen për një ekip më të fortë dhe të denjë për të synuar titullin kampion të kategorisë së parë
Kukësi ka bërë një fazë të parë të suksesshme, duke sfiduar edhe emrat e njohur të futbollit tonë, si Besa, Besëlidhja, Lushnja etj. Drejtuesit dhe futbollistët e tij nuk e vënë në dyshim qëndrimin në dyshen e parë, që garanton ngjitjen direkte në superligë, madje besojnë se kanë shanse reale edhe për titullim kampion të kategorisë së parë. Veriorët kanë shumë besim se gjatë fazës së dytë do të jenë më rezultativë dhe mund ta fitojnë konkurencën me Luftëtarin.
Berberi Një nga që spikatën fazën e parë me fanellën e Kukësit është kryeqytetasi Besmir Berberi. Ish-mbrojtësi Tomorit, Tërbunit, Burrelit dhe Partizanit në kategorinë e parë, e ka ndihmuar jo pak Kukësin me përvojën e tij. Për Sportin shqiptar futbollisti në fjalë thekson se Kukësi do të shfaqet si një ekip më i fortë në gjysmën e dytë të sezonit. Kukësi e nisi me ambicie sezonin, duke filluar nga faza përgatitore dhe merkato.
Oreksi për të pretenduar u shtua nga java në javë, ndërsa kemi qenë të kujdesshëm në sfidat jashtë fushe si në Vlorë, Skrapar, Gramsh apo me Adën. Madje, me këtë të fundit duhet të kishim fituar, ashtu siç duhet të kishim marrë një pikë edhe në Elbasan, ku e kemi dominuar ndeshjen me lojë dhe raste.
Megjithatë, Kukësi deri këtu është me meritë, pasi ka ditur të thyejë edhe rivale, si Lushnja apo Besëlidhja, dhe pa dyshim që të gjithë lojtarët kanë dhën maksimumin e tyre, ashtu siç duhet përgëzuar edhe puna e stafit drejtues me trajner Shahin Berberin, ndihmësin e tij Sajmir Xhetani dhe drejtorin teknik, Sabri Balla.
Kurse një punë kolosale ka bërë presidenca e Kukësit, të gjithë donatorët që na mbështesin në çdo fushë me në krye presidentin Ramë Geci. Pa dyshim që korrektesa financiare ka qenë një arsye shumë e fortë që Kukësi ka zënë një vend në kreun e renditjes, ashtu siç dua të falënderoj edhe tifozërinë tonë, mjaft korrekte në çdo ndeshje, – pohoi Berberi.
Faza përgatitore Kukësi javën e ardhshme do të nisë përgatitjet dhe stafi po mendon për vendin e stërvitjes. Mbrojtësi Berberi mendon se, me 2-3 përforcime, Kukësi do të jetë i pathyeshëm edhe jashtë fushe. Pas disa ditësh fillojmë fazën përgatitore dhe unë jam i bindur se Kukësi i fazës së dytë nuk do njohë kundërshtarë, madje besoj se edhe me Luftëtarin do të fitojmë në Gjirokastër, duke qenë se është ndeshje e prapambetur, – tha në mbyllje të fjalës së tij mbrojtësi Besmir Berberi.
