Hamburgu, ofertë zyrtare për Xhakën

Hamburgu ia ka mësyrë seriozisht Granit Xhakës. Klubi gjerman ka bërë ofertë zyrtare për mesfushorin e Baselit. Lajmin e ka bërë të ditur zëvendëspresidenti i kampionit zviceran, Bernhard Heussler.
Sipas mediave zvicerane, drejtuesit e Hamburgut janë të gatshëm të ofrojnë 7 milionë euro për futbollistin kosovar. “Kemi pranuar një ofertë konkrete për Xhakën. Por, e kemi refuzuar”, deklaroi drejtuesi i Baselit.
Ditë më parë, drejtori sportiv i Hamburgut, Frank Arnesen kishte deklaruar se klubi gjerman nuk do ta transferojë Xhakën, e as ndonjë lojtar tjetër gjatë janarit, por duket se gjërat qëndrojnë ndryshe.
Në anën tjetër, vetë futbollisti kosovar nuk e fsheh dëshirën e tij për të luajtur në një klub serioz siç është Hamburgu, por thotë se për këtë vendos Baseli.
“Hamburgu është klub i madh dhe Bundesliga është një ëndërr për mua. Është ndjenjë e mirë, pasi që atje është një trajner që më njeh dhe mund të flasë me mua si të dëshirojë”, ka thënë Xhaka për magazinën gjermane, Blick.
“Unë planifikoj të luaj në Basel deri në verë, pasi e di se jam i rëndësishëm këtu. Duhet të punojmë për të tetën e finales së Ligës së Kampionëve kundër Bayern Munichut, dy ndeshje të cilat i ëndërroj dhe besoj se kemi mundësi të kalojmë përpara. Mirëpo, nëse klubi merr ndonjë ofertë adekuate, mund të bisedojmë së bashku edhe tash”, vazhdoi përfaqësuesi zviceran.
19-vjeçari e kaloi një periudhë të suksesshme në Basel me trajnerin Thorsten Fink, i cili iu bashkua Hamburgut, muaj më parë. Ishte vetë trajneri zviceran ai i cili e ka kërkuar Xhakën në ekipin e tij, duke e njohur mjaft mirë potencialin që e posedon.
Xhaka pati një vit fantastik. Ai u bë lojtar i rëndësishëm i Baselit, me të cilin e fitoi titullin e kampionit dhe Kupën e Zvicrës. Pastaj, ai luajti me ekipin U-21, duke u shpallur nënkampion i Evropës, verën që shkoi, ndërsa debutoi edhe me ekipin e parë të Zvicrës, në kualifikimet për Euro 2012, kundër Anglisë në Wembley, në qershor 2011.