Galica: Iki nga Elbasani, po nuk u bë merkato cilësore
Verdheblutë kanë zhvilluar dje seancën e parë , ku kanë pasur 5 mungesa. Nuk ishin të pranishëm Dalipi, Kuçi, Galica, Sekseni dhe Olatunji
Skuadra e Elbasanit është kthyer dje në fushë për të vazhduar procesin stërvitor pas pushimeve të fundvitit. Verdheblutë kanë zhvilluar seancën e parë, nën drejtimin e dyshes së stafit teknik File-Dosti. Në këtë seancë ka pasur shumë mungesa nga grupi i lojtarëve që mbyllën fazën e parë të kampionatit. Konkretisht, kanë munguar 5 futbollistë dhe bëhet fjalë për 5 titullarë.
Nën urdhrat e stafit teknik nuk ishin elbasanasit Endri Dalipi dhe Egert Kuçi, por edhe jabanxhinjtë Elhan Galica, Ardi Sekseni, si dhe nigeriani Olatunji. Duket se për Elbasanin po vijnë ditë të vështira, pasi merkatoja e janarit mund ta tkurrë. Kur të gjithë prisnin përforcimin e skuadrës verdheblu me elementë cilësorë, po ndodh e kundërta, pasi janë të shumtë ata që do të largohen.
Galica Në grupin e atyre që kërkojnë të largohen bën pjesë edhe sulmuesi shkodran Elhan Galica, i cili, në një bisedë telefonike ka pranuar se e sheh veten gjithmonë e më larg Elbasanit. Galica ka qenë titullar në sulmin verdheblu gjatë fazës së parë dhe ka shënuar 7 gola. Shkodrani shprehet për Sportin shqiptar se, nëse situata tek Elbasani nuk ndryshon për mirë, do të largohet përfundimisht nga ky ekip për ta vazhduar karrierën në një tjetër klub.
Situata te skuadra e Elbasanit nuk është aspak e mirë dhe duhet të ndryshojë sa më parë. Nëse drejtuesit nuk bëjnë një merkato të mirë, duke afruar lojtarë cilësorë, edhe unë do të largohem. Nuk jam i kënaqur me gjendjen që ka mbërthyer Elbasanin dhe, si çdo futbollist, dua që të luaj me një skuadër sa më të mirë, ka bërë të ditur futbollisti shkodran, i cili erdhi te verdheblutë këtë sezon.
Galica ka sqaruar se ka marrë disa oferta për momentin, por ende nuk ka kthyer përgjigje, pasi pret të mësojë se çfarë do të ndodhë në Elbasan. Për momentin, – shton Galica, – nuk mund të përmend emra konkretë skuadrash, por mund të them se kam marrë oferta. Jam ende një lojtar i Elbasanit dhe e përsëris se do të shoh situatën në këtë skuadër, për të vendosur më pas se ku do të luaj fazën e dytë. Me sa po shoh, e ardhmja ime mund të jetë larg Elbasanit, – ka përufnduar sulmuesi shkodran, Elhan Galica.
