E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tirana-Vllazni, sërish bilbila të huaj



Tirana-Vllaznia, ndeshja kulmore e Kampionatit të 70-të Kombëtar, që do të përcaktojë edhe kampionen e re të vendit, si dhe do të ndajë drejtimet ndërkombëtare të dy skuadrave më popullore në vend, njërën për në Ligën e Kampioneve e tjetrën për në Ligën e Europës, mund të gjykohet nga një gjyqtar i huaj, ashtu si në ndeshjen e dytë gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë, ku arbitroi slloveni Dario Ceferin. Kur duhen edhe dy javë nga përfundimi i sezonit, Vllaznia udhëheq kampionatin me një pikë më shumë se Tirana e vendit të dytë. Kampionati është i vetmi objektiv për të dy skuadrat, pasi Kupa e Shqipërisë shkoi në duart e Flamurtarit.
Alban Tafaj, trajneri e drejtori sportiv i Tiranës, pohoi se do të ishte mirë që ndeshjen “finale” të sezonit, ta drejtonte një gjyqtar i huaj, por ai vetë, duke folur në emër të klubit, shtoi se këtë ia linte në dorë Federatës Shqiptare të Futbollit, për të bërë ajo zgjidhjen më të mirë. Gjithsesi, një kërkesë zyrtare ende nuk është bërë, dhe sipas pasuesit të Agustin Kolës, kjo mund të bëhet pas ndeshjes së javës së 32-të me Dinamon. Edhe Vllaznia është në të njëjtën linjë për gjyqtarë të huaj, por ndryshe nga ndeshja e Kupës, ku ajo i pagoi të gjitha shpenzimet (rreth 9 mijë euro), kësaj radhe ajo ka kërkuar që të ndahen përgjysmë ato. Edhe në sfidën e sezonit të kaluar, Dinamo-Partizani, që vendosi edhe fatin e kampionit, gjykoi një gjyqtar i huaj, arbitri italian Paolo Taljavento. Gjatë këtij edicioni kanë gjykuar dy arbitra të huaj, slloveni Ceferin (Tirana-Vllaznia) e italiani Gabriele Gava (Shkumbini-Flamurtari), të dyja rastet për gjysmëfinalet e Kupës së Shqipërisë.

15 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›