E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berberi: Rivalët bënë llogaritë tona, harruan të vetat

Nga ERJON SALIU

Nuk jemi rastësisht këtu, pasi kemi qenë dinjitoze në ndeshje vendimtare me Lushnjën, Besën apo Elbasanin, me Luftëtarin luaj edhe me një këmbë

Mbrojtësi i skuadrës së Kukësit, Besmir Berberi, pas fitores në Lezhë, thotë se për skuadrën e tij asgjë nuk ka përfunduar, edhe pse superliga është shumë pranë tashmë. Në një prononcim dhënë pas ndeshjes me Besëlidhjen, mbrojtësi që e ndoqi takimin e javës së kaluar nga pankina, ka pohuar:

Kukësi nuk është rastësisht këtu, sepse ne i kemi shpallur objektivat qysh në fillim të sezonit, atëherë kur skuadrat që sot pretendojnë nuk ishin organizuar akoma. Kemi lojtarë që kanë luajtur në superligë, si Koçi, Rexhepi, Thana, Xhetani, Malo, Hamzai, Jevdjeviç, Lena etj. Ne jemi të suksesshëm sepse nuk bëjmë llogaritë e rivalëve. Përkundrazi, rivalët u morën me Kukësin dhe harruan llogaritë e tyre.

Habitem pse disa trajnerë na përgojojnë, ne jemi mundur me penallti në Kavajë apo edhe në Gjirokstër, dhe u kemi dhënë dorën në fund. Ne i kemi mundur Lushnjën, Besën apo Elbasanin me meritë në stadiumin tonë, madje janë fakte gazetat ku mbaj mend që pas ndeshjes trajneri Malko fajësonte mbrojtjen e tij për humbjen që pësoi, presidenti dhe trajneri i Besës apo stafi elbasanas kanë mbetur të befasuar nga pritja që ne i kemi bërë në Kukës.

Këtë e bëjmë jo vetëm me rivalët, por edhe me ekipet modeste. Kurse neve kur shkojmë jashtë, nuk na japin as një kafe. Gjithsesi, ne na kanë mbetur edhe dy ndeshje dhe do ta tregojmë veten se kush jemi edhe këtë javë. Madje do ti tregojmë Luftëtarit se jemi më të mirë se ai dhe do ti rrëzojmë nga froni, – pohoi mbrojtësi energjik i kuksianëve, Besmir Berberi.

Rikuperimi Mbrojtësi ka lënë pas dëmtimin dhe në ndeshjen me Gjirokastritët do të jetë në fushë. Nuk dua që ta humbas një ndeshje si kjo me Luftëtarin, edhe pse vij nga dëmtimi do të luaj edhe me një këmbë. Ne kemi filluar stërvitjen me intensitet. Do ti mundim kryesuesit dhe do ta kthejmë në festë pas ndeshjes. Ftoj tifozët që të na mbështesin maksimalisht,- tha në fund të fjalës së tij mbrojtësi Besmir Berberi.

 

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›