Elbasani ka kohë që mendon për sezonin e ardhshëm
Drejtuesit elbasanas mendojnë që në ndeshjen e radhës me Himarën të aktivizojnë disa lojtarë të rinj me perspektivë
Elbasani ka barazuar 1-1 në ndeshjen e fundit në shtëpi përballë Besës, por kjo duket se nuk është ndonjë hata për skuadrën verdheblu, e cila tashmë pret me padurim sezonin tjetër. Ndeshja ndaj kavajasve ka qenë mjaft e mirë dhe niveli i lojës së skuadrës ishte i kënaqshëm, duke zhvilluar një nga paraqitjet më të mira, por edhe kavajësit treguan cilësi në këtë sfidë.
Barazimi nuk i bëri punë as njerës dhe as tjetrës, por çfarëdo rezultati tjetër të arrihej, përsëri nuk do të ndryshonte situatën, pasi fatet e sezonit për të dy ekipet ishin vendosur më parë. Elbasani do të qëndrojë edhe një sezon në kategorinë e parë, ndërsa Besa do të luajë shansin e saj të fundit në ndeshjet play-off.
Elbasani mbylli gojët e liga që flisnin për njëanshmëri apo për aleanca, pasi verdheblutë po tregojnë se nuk do të jenë pjesë e atyre që fliten lart e poshtë nëpër kafene. Tashmë verdheblutë e kanë lënë pas krahëve barazimin 1-1 ndaj Besës dhe po mendojnë për transfertën e Himarës. Kjo cilësohet një transfertë e vështirë, për vetë faktin që skuadra himariote ka nevojë për pikë dhe pritet që të luajë ndeshjen e jetës përballë Elbasanit.
Gjithsesi, nga kampi verdheblu pohojnë se Elbasani do të jetë dinjitoz edhe në këtë takim, për të treguar edhe një herë se luan ndershëm. Këtë fundjavë, stafi teknik i Elbasanit pritet që të aktivizojë disa nga lojtarët e rinj, në mënyrë që këta të afirmohen për sezonin e ardhshëm.
Kjo duket një strategji e mirë nga ana e drejtuesve verdheblu, të cilët tashmë po shohin më së shumti për sezonin e ardhshëm. Shpresohet se në kampionatin e ardhshëm të riparohen ato të meta që dolën në pah këtë sezon dhe Elbasani të kthehet në elitë, pasi aty është vendi i tij.
