E Diel, 1 Nëntor 2026

“Berberi i Seviljes”, aktorët shqiptarë udhëtojnë drejt Parisit

Autori i Lajmit: Redaksia

“Berberi i Seviljes”, komedia franceze, pas shfaqjeve të dhëna në skenën shqiptare, tashmë do të niset në një turne në “vendlindjen” e saj Francë. Burime nga Teatri Kombëtar bëjnë të ditur se kasti i aktorëve dhe regjisori i komedisë “Berberi i Seviljes” do të udhëtojnë në Francë më 19 prill, ku do të zhvillojë një turne deri në fund të këtij muaji. Ndërsa në Shqipëri e kemi parë ndryshe këtë shfaqje, me elementë krejtësisht shqiptar, nuk dimë detaje, mbi ndryshimet që mund të ketë në paraqitjen e saj në vendlindjen e autorëve të kësaj vepre.
Me regjinë e Eric Vigner, u arrit ajo që rrallë arrihet në një skenë nacionale: që një vepër serioze të jetë mirë e realizuar dhe të tërheqë spektatorë. Që nga java e parë pas premierës, vepra ka pasur sukses të merituar. Ishin në formën e tyre më të mirë aktorët Roland Trebicka në rolin e Kontit Almaviva, Helidon Finon në rolin e Figarosë, Neritan Liçajn në rolin e Bartolosë dhe Luiza Xhuvanin në rolin e Rozinës. Pa dyshim edhe Marko Bitraku në rolin e Don Bazilit që në skenë dukej si i dalë nga tablotë e mesjetës.
“Berberi i Seviljes” me fustanella shqiptare
Vizita e parë në Shqipëri do ta ngacmonte artistikisht. Pothuajse që në fillim do ta qartësonte idenë për atë çka do të ngjiste në skenën shqiptare, regjisorin francez, Eric Vigne. Kontakti me fotot e 900-ës të realizuara nga Marubi, do ta frymëzonin për një Bomarshe të stilit shqiptar. Nën këtë ide, komedinë “Berberi i Seviljes” ose “Të marrësh masa të kota” të Bomarshe, (Beaumarchais) Vinje e solli krejtësisht bardhë e zi. I ka braktisur kostumet gjithë ngjyra apo veshjet fisnike spanjolle, që vet autori i sugjeron në veprën e tij. Vinje ka ndërtuar një skemë krejtësisht të ndryshme nga vëniet e tjera të tij. “Pikënisja për këtë komedi ishin fotot e Marubit. Gjatë vizitës së parë në Shqipëri unë u njoha me kulturën dhe më la një përshtypje të veçantë kontrasti i këtyre fotove bardhë e zi. Kjo më shërbeu si frymëzim për të zgjedhur “Berberin e Seviljes”, ka thënë regjisori. Pjesa është realizuar sipas shqipërimit të Klio Evangjelit. Idesë së tij bardhë i zi i kanë qëndruar për shtat veshjet e realizuara nga Anila Zajmi. Një ndërthurje mes fustanellave shqiptare të burrave me një shije fisnikërie. Për këtë vepër, që në kontaktet e para të këtij bashkëpunimi, Vinje mbërriti në Tiranë për të zgjedhur vetë kastin e aktorëve. Te Roland Trebicka, Luiza Xhuvani, Helidon Fino, Neritan Liçaj, Marko Bitraku, Fadil Kujovska, do të gjente mishërimin e personazheve të shekullit të XVIII-të.
Eric Vigner
I lindur në Renë në 1960, Eric Vigner studioi teatër në vendlindje. Regjia e tij e parë është "La Place royale" i Kornejit (1988), dhe si aktor interpreton nën drejtimin e Jean-Pierre Miquel, Christian Colin, Brigitte Jaques, ndërsa në kinema xhiron me Philippe de Broca, Benoît Jacquot, Maria de Medeiros. Krijon një grup kërkimi teatral dhe themelon Kompaninë "Suzanne M." në vitet 90. Një vit më pas vë në skenë "Shiu i verës" i shkrimtares së njohur franceze Marguerite Duras, më pas "Njeriu i ri" i Jean Audureau-së, "Bukur" i Nathalie Sarraute-it, "Vij tek ty" i Gregory Mottonit. Në vitin 1995, është emëruar drejtor i qendrës dramatike të Bretanjës në Lori dhe atje ka vënë në skenë "Iluzioni komik" i Pjer Kornejit, "Akrobati" i Jean Genetit etj.. Me Komedinë Franceze ka vënë në skenë "Bajazet" i Rasinit, "Shkolla e grave" e Molierit dhe "Savannah Bay" e Marguerite Durasit. Po ashtu ka realizuar regjinë e disa operave.

Ky lajm është publikuar: 15/04/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›