E Diel, 1 Nëntor 2026

Krimi në Durrës Vrasja e pronarit të diskos, tri pista për vrasjen

Autori i Lajmit: Redaksia
Konkurrenca ose një mosmarrëveshje pronësie janë pistat kryesore që po heton policia e Durrësit në lidhje me vrasjen, ndërkohë që është marrë në pyetje edhe bashkëshortja e 35-vjeçarit e cila ndodhej bashkë me biznesmenin në momentin kur ai u qëllua me armë në gjoks.
Por, një pistë tjetër mbetet edhe ajo e ndonjë konflikti të mëparshëm të viktimës, pasi ky i fundit rezultonte me precedentë penalë në Itali, gjatë kohës që ka qenë në emigracion. Lajmin e konfirmon policia e qytetit bregdetar, e cila deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshëm nuk ka dalë ende në një konkluzion në lidhje me autorin e vrasjes së 35-vjeçarit.
Hetimi
Nga ana e policisë, pas mësimit të ngjarjes është marrë në pyetje menjëherë bashkëshortja e viktimës, e cila ishte edhe dëshmitare okulare. Gjithashtu janë shoqëruar edhe persona të tjerë që ndodheshin në afërsi të vendit për tu marrë në pyetje. Janë ngritur edhe pistat e para për ngjarjen e ndodhur, ndërkohë që rrethi është shtrënguar në dy të dyshuar që mund të kenë dijeni për ngjarjen dhe që burimet shprehen se janë në moshë të re, megjithatë nuk bëhet i ditur asnjë detaj lidhur me autorët.
Ngjarja
Burime nga policia bëjnë të ditur se ngjarja ka ndodhur rreth orës 21:00 të ditës së martë. Shyqyri Deliallisi, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij ka qenë duke udhëtuar me një automjet tip "Ëolksvagen" me targa DR 0730 F. Mësohet se 35-vjeçari ishte drejtuar për në shtëpinë e tij që ndodhet në zonën e plazhit, zonën e Arapajt, unaza e vjetër Shkozet Plepa. Në këtë kohë, dy persona me një motoçikletë i kanë dalë para automjetit dhe kanë ndaluar, çka ka çuar dhe në ndalimin e mjetit. Po në të njëjtin moment njëri prej tyre ka nxjerrë një armë tip pistoletë dhe ka qëlluar mbi drejtuesin e mjetit dy herë. Njëri prej plumbave e ka kapur 35-vjeçarin, Deliallisi në gjoks duke i shkaktuar vdekjen. Më pas autorët janë larguar sërish me motor.

Ky lajm është publikuar: 15/04/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›