E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama në Durrës: “Të mbarojë historia e gënjeshtrave dhe e vjedhjeve”

Autori i Lajmit: Redaksia

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka qenë në lagjen numër 16 të qytetit të Durrësit, një lagje periferike kjo e një qyteti të dytë për nga rëndësia e zhvillimi në vend, ku njerëzit janë të varfër, ku fatura e energjisë shkon më e lartë se ndihma ekonomike, pavarësisht se këto familje të varfra nuk kanë pajisje në shtëpitë e tyre për të konsumuar energjinë, në masën që u faturohet. Në takimin e rastësishëm me Edi Ramën, qytetarët ankohen për pamundësinë e përballimit të jetesës për shkak të çmimeve të rritura, për shkak të mungesës së vendeve të punës dhe shumë faktorëve të tjerë, që ata i japin në dëshmitë e tyre.
Edi Rama, gjatë bashkëbisedimit me banorët e kësaj lagjeje, u shpreh se kjo histori e vjedhjes dhe e gënjeshtrës duhet të mbarojë: “Në këtë situatë që jeni ju, janë qindra mijëra njerëz që nuk kanë mundësi të paguajnë dritat, nuk kanë mundësi të shtyjnë muajin. Ka vetëm një rrugë për të dalë nga kjo gjendje, në protesta bashkë me ne për ti dhënë fund kësaj historie korrupsioni, kësaj historie vjedhjeje, kësaj historie abuzimi, që i ka rrënjët aty tek ato kutitë e votimit. Ju keni votuar për ndryshimin, pushteti e ka kthyer votën tuaj në një votë për vetveten. I vetmi që mund ta rikthejë në vend këtë punë është populli. Nuk do të vazhdojmë kështu, do të protestojmë, do të protestojmë, do të protestojmë të gjithë bashkë. Ti japim fund kësaj historie. Kjo histori me rrena dhe me vjedhje duhet të mbarojë”. Ndërkohë deputeti i PS-së, Blendi Klosi, ka marrë pjesë në një protestë të organizuar në komunën Nikël të Krujës, në qendër të së cilës ka qenë mungesa e energjisë elektrike apo tensioni i ulët që vjen në shtëpitë e tyre. Sipas banorëve, përveç dëmit njerëzor, kjo zonë e njohur për prodhimin e mobiljeve po pëson edhe një dëm të konsiderueshëm financiar, pasi problemet me energjinë elektrike e bëjnë thuajse të pamundur vijimin normal të punës. “Ky komunitet ka shumë probleme, duke nisur që nga çmimet e mekanikës deri te çmimet e larta për ushqime”,- u shpreh Klosi. Ndërkohë në kryeqytet deputetja Vasilika Hysi ka denoncuar atë që e quajti mashtrim i hapur me faturat e ujit të pijshëm.

Ky lajm është publikuar: 15/04/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›