Ndalohet tregtari me celularë kontrabandë
TIRANË - bllokohen celularë kontrabandë, ndalohet nga policia poseduesi i tyre. Oltjon Klosi, 19 vjeç, nga Burreli dhe banues në Tiranë, është arrestuar nga Zyra e Antikrimit Ekonomik të Policisë së kryeqytetit me akuzat e "Tregtim dhe transportim i mallrave kontrabandë" dhe të "Ruajtja apo depozitimi i mallrave kontrabandë".
Gjatë kontrollit të kryer nga blutë në automjetin e tij tip veturë, policia gjeti dhe bllokoi 140 aparate të telefonisë së lëvizshme të markave të ndryshme.
Malli i bllokuar, sipas burimeve të policisë, ishte kontrabandë dhe i pashoqëruar me dokumentacionin e tij përkatës. Gjatë pyetjes së të ndaluarit, ai ka pretenduar se nuk kishte dijeni se malli ishte kontrabandë dhe se duhej të paguante detyrime doganore për të.
Pavarësisht këtij fakti, policia ka bllokuar aparatet si dhe mjetin në të cilin ishte bllokuar sasia e telefonave celularë kontrabandë. Këta të fundit, pasi janë administruar si prova prej ekspertëve, janë magazinuar në depot e Rezervave të Shtetit.