E Diel, 1 Nëntor 2026

Lirohet kreu i Hipotekës, gjykata: Ndalimi i tij, i paligjshëm

VLORË/ Nga ana e togave të zeza është vendosur "detyrim paraqitje" për Edmond Banushajn


VLORË - Kreu i Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme të Vlorës, Edmond Banushaj, është lënë dje i lirë, kundrejt alternativës së detyrim-paraqitjes në policinë gjyqësore. Ndërkohë, dy personat e tjerë të operacionit "Fillimi i vjeshtës", Viktor Kulaj dhe Oard Begaj, kanë marrë si masë sigurie "arrest shtëpie".


Seanca gjyqësore, në një maratonë thuajse 5-orëshe ka rezultuar me një vlerësim të paligjshëm të ndalimit të tre personave, të cilët janë paraqitur para togave të zeza për marrjen e masës së sigurisë. Seanca nuk është karakterizuar vetëm nga orët e gjata, por edhe kërkesa për ndryshimin e gjyqtarëve, të paraqitura nga prokurori i çështjes, Sokol Malaj.


Përfaqësuesi i akuzës ka kërkuar fillimisht përjashtimin e gjyqtarit Thoma Nika, bashkangjitur argumentit se, sipas grafikut, i takonte gjyqtares Marinela Nuni të ishte drejtuese e seancës. Malaj i ka kërkuar edhe më pas gjyqtarit Fuat Muka të tërhiqej nga vendimi se nga kush do të drejtohej seanca. Pas disa ndërprerjeve, seanca ka rifilluar nën drejtimin e gjyqtarit Thoma Nika.


Akuza


Sipas prokurorit Malaj, si fillim i hetimeve ka shërbyer denoncimi i bërë nga një qytetare, ku pretendohej se ishte regjistruar një sipërfaqe trualli me dokumente të falsifikuara.


Pas kësaj, është aplikuar për leje ndërtimi për banesë 7-8-katëshe, ku nuk respektoheshin distancat. Nga shqyrtimi i dosjeve në hipotekë, ka rezultuar se certifikata është lëshuar disa muaj para se të bëhej kërkesa për regjistrim.


Bëhej fjalë për një sipërfaqe prej 95 metër katror, regjistrim që është bërë në kundërshtim me ligjin, për të cilën akuzohet direkt ish-nëndrejtori Viktor Kulaj. Në lidhje me këtë sipërfaqe është lëshuar një certifikatë pronësie e paregjistruar.


Akuza ndaj Oard Begajt është ngritur pasi ka regjistruar një sipërfaqe me dokumente të falsifikuara, konkretisht 690 metër katror. Kallëzimi për të është bërë nga i vëllai, Agron Begaj, në të cilin bëhej me dije se nga e drejta e pronësisë janë përjashtuar gjithë anëtarët e tjerë të familjes. Nga ana e ZRPP-së, një certifikatë bashkëpronësie është kthyer në certifikatë individuale.


Lidhur me kreun e Hipotekës Banushaj, prokurori tha se janë vërejtur shkelje të tilla ligjore, si: regjistrime pa aktet e nevojshme të pronësisë, vendime të dhëna në kohë rekord, duke e bërë një person që nuk gëzonte pronë të bëhej pronar brenda një dite. Prokurori tha se nuk paraqitej gjendja reale e pronës, aq më tepër që bëhej fjalë për një pronë publike.


Mbrojtja


Pala mbrojtëse i ka quajtur arrestimet të paligjshme, si dhe ka pohuar se personat në fjalë nuk përbënin rrezikshmëri për të ikur pas hapjes së çështjes në gjyqësor ndaj tyre. Avokatët Genci Gjokutaj dhe Kastriot Brahimuço thanë se kjo mund të quhej një çështje teknike dhe të rregullohej në bazë të gjithë normave ligjore, duke mos mbajtur në burg personat.


Ata kërkuan lirimin e të pandehurve ose si masë alternative detyrim paraqitje. Regjistruesi Banushaj ka preferuar që një pjesë të mbrojtjes ta bëjë vetë, pikërisht sqarimin e pozicionit të tij në lidhje me përpilimin e dokumentacioneve që janë objekt hetimi.


Ai ka mohuar të ketë pasur njohje me të akuzuarin Begaj, pretenduesin e pronësisë së truallit që është bërë objekt gjykimi, ndërkohë që u është referuar hapësirave ligjore për dhënien e dokumentacioneve.


Gjyqtari Nika, ndërsa ka cilësuar të paligjshëm ndalimin e shtetasve, ka dhënë për ish-nëndrejtorin e ZRPP-së së Vlorës, Viktor Kulaj dhe biznesmenin Oard Begaj masën "arrest shtëpie", ndërsa për Eduard Banushajn, detyrim paraqitje.


Arrestimi i bujshëm u bë tri ditë më parë u bë në kuadër të operacionit "Fillimi i vjeshtës", operacion ky i realizuar nga Drejtoria e Policisë së Vlorës, në bashkëpunim me Strukturat e Krimit Ekonomik dhe Prokurorisë së rrethit Vlorë.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›