Berisha -Lajçak: Të zbardhet 21 janari dhe të përgatiten zgjedhjet e 8 majit

“BE e konsideron diskutimin mbi zgjedhjet e 2009 si një kapitull i mbyllur përfundimisht, bazuar në vlerësimin e bërë nga raporti i OSBE/ ODIHR!”
Kështu ka deklaruar Lajçak, gjatë takimit të mbajtur ditën e sotme me kryeministrin Sali Berisha. Më tej, Lajçak ka theksuar se në Bashkimin Evropian ka zero mbështetje për zgjedhje të parakohshme apo për bojkot të zgjedhjeve lokale.
Gjatë këtij takimi, Lajcak theksoi se është koha tashmë që Shqipëria të fokusohet në hapat e mëtejshëm përpara me axhendën evropiane. Ai u shpreh se për këtë kërkohet hetim për zbardhjen e plotë e të paanshme të ngjarjeve të 21 dhjetorit në kuadrin e institucioneve dhe shtetit ligjor, e së dyti shmangia e çdo lloj akti të mëtejshëm provokues duke i konsideruar në këtë kontekst demonstratat si mbartëse të një risku serioz në këtë periudhë.
Ndërkaq, Lajcak theksoi nevojën për uljen e toneve dhe retorikës nga të gjitha palët, kthimin e opozitës dhe restaurimin e dialogut politik në Parlament për axhendën e integrimit evropian dhe statusit të vendit kandidat dhe adresimin e të gjitha rekomandimeve të parashtuar në opinionin e Komisionit Evropian, dhe më e rëndësishmja përqendrimin e të gjitha energjive në përgatitjen dhe mbajtjen e zgjedhjeve lokale të 8 Majit në përputhje me standardet ndërkombëtare.
Në këtë kontekst i dërguari Lajcak theksoi se Bashkimi Evropian është kundra betejave politike jashtë kuadrit institucional, kundra çdo aktiviteti që mund të provokojë akte dhune të mëtejshme, asnjë mbështetje për bojkotim dhe bllokim të procesit zgjedhor, cilido që loz me këto tre karta humbet çdo kredibilitet në sytë e ndërkombëtarëve.
Kryeministri Berisha theksoi se kushti vendimtar i zgjidhjes së kësaj situate është hetimi i plotë dhe transparent i 21 janarit në të gjitha drejtimet dhe se ai është i vendosur që çdo gjë të zgjidhet në kuadrin e institucioneve dhe shtetit ligjor.
“Qëndrimet e personave të caktuar në këto institucione nuk lëkundin besimin tim tek institucionet, roli dhe funksionimi i tyre”, theksoi Kryeministri.
Kryeministri Berisha, gjithashtu, shtoi se bashkëpunimi ndërinstitucional është në këtë moment i domosdoshëm për kapërcimin e situatës.
Shqipëria, tha kryeministri,është Republikë Parlamentare, ndaj dhe hezitimi i drejtuesve të ndonjë institucioni për të përmbushur detyrimet ligjore dhe kushtetuese ndaj Kuvendit të Shqipërisë bie ndesh me këto të fundit.
Kryeministri Berisha e ftoi opozitën të zërë vendin e saj në Komisionin Hetimor dhe të ofrojë kontributin e saj aktiv në veprimtarinë e tij, duke theksuar se anëtarët e opozitës në këtë Komision kanë të garantuar me ligj rolin e tyre në këtë proces.