Shpallja e pavarësisë nuk hoqi kulturën e varësisë tek klasa politike e Prishtinës
Jo vetëm administrimi i UNMIK-ut, por edhe ndërhyrja (shpesh e domosdoshme) e ambasadorëve amerikanë, nganjëherë e zyrtarëve të BE-së, kanë bërë që sot ndër lidershipin e Kosovës të mos ketë nivel të duhur të ndjenjës së përgjegjësisë, të llogaridhënies dhe të krijimit të kulturës së pavarësisë. Jo vetëm administrimi i UNMIK-ut, por edhe ndërhyrja (shpesh e domosdoshme) e ambasadorëve amerikanë, nganjëherë e zyrtarëve të BE-së, kanë bërë që sot ndër lidershipin e Kosovës të mos ketë nivel të duhur të ndjenjës së përgjegjësisë, të llogaridhënies dhe të krijimit të kulturës së pavarësisë. Për secilin vendim sadopak të vështirë liderët kosovarë mbrohen shpesh me thënien: “Kështu duan miqtë tanë ndërkombëtarë“ apo edhe më qartë: “Kështu jemi marrë vesh me ambasadorin Dell”.
Kosovarët janë mësuar të ikin nga përgjegjësia sa më shumë të jetë e mundur. Është bërë kjo pothuajse pjesë e kulturës së përgjithshme, duke përfshirë edhe atë politike. Nuk dëgjojmë shpesh politikanë të marrin përgjegjësi për ndonjë dështim në Kosovë apo, thënë më saktë, nuk dëgjojmë fare nga ta se ka ndonjë dështim. Së paku jo sa i përket punës së tyre. Plot e përplot suksese, rritje ekonomike, përparime, rritje standardi, mrekulli ka në Kosovë nëse u besojmë atyre që kanë përgjegjësinë për udhëheqjen e shtetit. Por në të njëjtën kohë rritet percepcioni për krimin e organizuar, korrupsionin dhe keqpërdorimin e parave të taksapaguesve. “Nuk ka korrupsion, por fjala është për percepcion“ do të na thonë spin doktorët e pushtetit, duke luajtur lojën semantike. Por, siç thoshte njëherë komisioneri i mëparshëm i Zgjerimit të BE-së, Olli Rehn: “Qytetarët besojnë më së shumti në atë që shohin e ata në Kosovë po shohin tepër shumë korrupsion“. Dhe tash jemi në një situatë të çuditshme. Gëzohemi për gjëra të vogla dhe dëshpërohemi në të njëjtën kohë për situatën e rëndë. Kosovarët për fatin e tyre shpesh fajësojnë historinë. Shpesh thonë se gjithmonë të tjerët kanë vendosur për Kosovën. Përmendin romakët dhe bizantin, turqit e serbët dhe deri vonë edhe UNMIK-un. Por tash e kemi Kosovën si shtet të pavarur. Së paku është e shpallur si e tillë dhe e njohur nga pothuajse gjysma e shteteve tjera të botës, përfshirë edhe shumicën e madhe të shteteve perëndimore. Por shpallja e pavarësisë nuk ka ndihmuar që të ndërtohet kultura e pavarësisë. Ende kosovarët, apo liderët e tyre, presin që problemet t’ua zgjidhin të tjerët dhe për fatin e tyre kërkojnë edhe përgjegjësi jashtë oborrit të vet.
Jo vetëm administrimi i UNMIK-ut, por edhe ndërhyrja (shpesh e domosdoshme) e ambasadorëve amerikanë, nganjëherë e zyrtarëve të BE-së, kanë bërë që sot ndër lidershipin e Kosovës të mos ketë nivel të duhur të ndjenjës së përgjegjësisë, llogaridhënies dhe krijimin e kulturës së pavarësisë. Për secilin vendim sadopak të vështirë liderët kosovarë mbrohen shpesh me thënien se “kështu duan miqtë tanë ndërkombëtarë“ apo edhe më qartë: “Kështu jemi marrë vesh me ambasadorin Dell”. Nëse dëgjojmë me vëmendje megafonët e Qeverisë do të duhej të pranonim se ndërtimi i autostradës është projekt i mirë, sepse kështu ka thënë ambasadori amerikan (ndërkohë Komisioni Evropian e ka quajtur këtë si projekt disproporcional me mundësitë e Kosovës dhe me trafikun që është projektuar në të), do të duhej të mbështesnim privatizimin e shpejtë të PTK-së, sepse kështu është qëndrimi amerikan. Do të duhej të mbështesnim fuqishëm edhe presidenten Jahjaga, sepse ajo ishte e zgjedhura e ambasadorit amerikan. Dhe kur është lëshuar haberi se Atifete Jahjaga është caktuar nga ambasadori Dell që të jetë presidente e Kosovës, atëherë një numër i pakët i deputetëve të Kuvendit të Kosovës nuk ka guxuar të votojë kundër saj.
Për lidershipin kosovar bartja e fuqive te “ndërkombëtarët“ për të vendosur në emër të tyre, e më pas këto vendime vetëm të formalizohen nëpër institucionet e Kosovës, sikur ndonjë shfaqje në teatër, është bërë një modus operandi fantastik. Kjo u shërben si mburojë nga sulmet e opozitës, shpesh edhe të mediave dhe një pjese të shoqërisë civile. Sepse, në një vend ku i tërë populli me të drejtë mendon se lirinë e vet ia ka borxh NATO-s dhe në masën më të madhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nuk është lehtë të kritikosh dikë i cili ka krijuar imazhin se është i preferuari amerikan. A kanë faj apo jo amerikanët për këtë, a është e vërtetë se prapa të gjitha veprimeve të kryeministrit Thaçi dhe presidentes Jahjaga qëndron ambasadori amerikan Christiopher Dell, është një pyetje, përgjigjen e saktë në të cilën do të donin ta dinin jo vetëm qytetarët e Kosovës, por edhe shumë diplomatë ndërkombëtarë. Ambasadori amerikan në Prishtinë, e në një masë edhe Zyra e BE-së, në këtë mënyrë po marrin mbi vete një përgjegjësi të madhe. Jo që do të kërkohet ndonjëherë të japin llogari nëse dëshmohet në të ardhmen se të preferuarit e tyre kanë bërë ndonjë gabim, por një lloj përgjegjësie morale. Me mbështetjen e tyre, sa për të bërë ndonjë mikromenaxhim të ndonjë krize, ata kanë ndihmuar edhe heshtjen e shumë gabimeve (siç tha me të drejtë ambasadori Dell “disa probleme janë zgjidhur duke krijuar probleme edhe më të mëdha). Duke menduar në problemin më të madh të krijuar për të zgjidhur një problem të vogël doemos vijmë deri te zgjedhjet e para në Kosovën e pavarur. Tash kur shohim se sa banorë ka Kosova, kur e dimë se më shumë se 30 për qind e tyre janë nën moshën për të pasur të drejtë vote, atëherë edhe fëmijët e shkollës fillore e dinë se Komuna e Skenderajt, për shembull, nuk mundur të ketë aq shumë votues sa kanë dalë në votime. Dell na pati thënë se vetë ka qenë i pranishëm kur ka pasur parregullsi në votime. Dhe tash, për të tejkaluar krizën e vjedhjes së qartë të votave, që është bërë pothuajse “vlerë kombëtare shqiptare (kolegu i Dellit madje ka shkruar një depeshe me titull: Vjedhja e votave-stili shqiptar)“, sepse askush tjetër në rajon nuk ka problem me parregullsi në zgjedhje, me disa “përmirësime“, duke rivotuar është legjitimuar manipulimi i zgjedhjeve. BE-ja ka pasur qëndrime dhe më të rënda. Ka përshëndetur së pari “mënyrën paqësore të zhvillimit të zgjedhjeve“ dhe krijimin e institucioneve. Nuk e ka fshehur asnjëherë se pa marrë parasysh parregullsitë, Kosova duhet të ketë sa më shpejt institucione për të nisur dialogun sa më shpejt. Dhe këtu tash lind dyshimi në sinqeritetin e bashkësisë ndërkombëtare: a duan vërtet zhvillim të demokracisë dhe të kulturës së pavarësisë, llogaridhënies dhe përgjegjësisë në Kosovë apo preferojnë që liderët të jenë të thyeshëm dhe të lehtë për t’u shantazhuar. Në Bruksel sa herë që kritikojmë pafuqinë e NATO-s dhe BE-së rreth veriut, kur nuk kanë rrugëdalje apo argumente tjera, thonë se “edhe Qeveria juaj në Kosovë është e dyshuar për lidhje me krimin e organizuar“.
Tash pra Kosova në një mënyrë ka hyrë në rrethin vicioz, ku duke bartur përgjegjësinë nga një adresë në tjetrën faji mbetet jetim. Shikuar nga përvoja në vendet tjera, Kroacia para së gjithash, mirë do të ishte sikur të gjithë të nxjerrin mësime. Mësimi për lidershipin kosovar që mendon se mjafton ta kesh mbështetjen e ambasadorit amerikan apo disa diplomatëve të BE-së, është se, nëse “qoftë larg“ vjen në një situatë kur ke nevojë për ndihmën e tyre për shpëtim nuk do ta kesh dhe nuk do t’i gjesh. Nëse u shkruan ,nuk do të përgjigjen. Shikojeni vetëm rastin e Sanaderit në Kroaci. Para katër vjetësh shikonte futboll me kancelaren Merkel, Barroso në Bruksel i përkulej dhe i thurte lavde, presidenti amerikan Geroge Bush e quante “lider të duhur të rajonit“ e tash askush as që ka dashur t’i përgjigjet në një letër. Është lënë i vetëm të përballet me akuzat për bëmat e tija. Mësimi tjetër është se diplomatët e huaj nuk e mendojnë gjithmonë atë që e thonë për liderët politikë të Kosovës dhe ato që ua thonë mediave vendore, deklarata pozitive për të njëjtin lider, nuk janë edhe mesazhe që i dërgojnë në kryeqytetet e tyre. Pra në fund, herë do kur, të gjithë do të gjykohen nga puna e tyre e jo nga “miqësia“ momentale apo mbështetja e ndonjë diplomati të huaj. Mësimi për diplomatët e huaj duhet të jetë se, përkundër detyrave që të përfaqësojnë me përpikëri qëndrimet e shtetit të tyre dhe sfidës që gjatë mandatit të tyre të mos ndodhë ndonjë gjë e keqe, duhet të kenë kujdes që një ditë në të ardhmen, kudo që të jenë, të mos ndihen keq për mbështetjen që kanë mundur t’ia shprehin dikujt edhe kur nuk e ka merituar. Edhe ashtu ka tepër shembuj në botë, prej Gadafit në Libi e Mubarakut në Egjipt e deri te Sanaderi në Kroaci, ku disa nga përfaqësuesit e vendeve më demokratike të botës kanë rënë në provim duke legjitimuar pushtetin jodemokratik. Kosova dhe në një masë shtetet rreth saj, vazhdojnë të jenë vendet e rralla ku jo vetëm gazetarët dhe politikanët, por edhe qytetarët e thjeshtë i dinë emrat e ambasadorëve të huaj, ku mediat marrin prononcimet e diplomatëve të huaj më shumë sesa të vet politikanëve vendorë dhe ku politikanët vendorë, deri te kryeministri dhe presidentja, presin që për ndonjë zhvillim të dalin së pari diplomatët e huaj me deklarata e pastaj ata. Kjo është ajo kultura e varësisë që vazhdon të kultivohet sot edhe në Kosovën e pavarur.
Marrë nga Koha Ditore