E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: “ Nuk dua asnjë fëmijë duke lypur rrugëve”



Kryeministri,Sali Berisha, i kërkoi dje Ministrisë së Punës që të marrë masa të mënjëhershme për mbrojtjen e fëmijëve të shihen sa më shpejt rezultatet konkrete. Kreu i qeverisë vuri në dukje, se rezultatet e deritanishme në këtë drejtim, janë qartësisht evidente dhe është bërë një përpjekje e madhe për një infrastrukturë të re ligjore në garantimin e mbrojtjes së lirive dhe të drejtave të fëmijëve. Duke theksuar se po shkohet drejt dyfishimit të buxhetit për arsimin, Kryeministri Berisha kërkoi që të përdoret çdo potencial financiar për të trajtuar me zero tolerancë analfabetizmin. Por ky sipas tij, duhet të jetë objektivi më i rëndësishëm i Ministrisë së Arsimit. Ndërkohë që Ministria e Punës, nisur nga përvoja, arritjet dhe problemet e derisotme në mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve në Shqipëri, ka ndërmarrë iniciativën ligjore për hartimin e një ligji për zhvillimin e të drejtave te fëmijëve. Kjo u bë e ditur të hënën nga Ministri i Punës, Kosta Barka, gjatë Konferencës kombëtare për Fëmijët, ku u raportua për punën njëvjeçare në zbatim të Strategjisë Kombëtare për Fëmijët. Në këtë dokument, mbrojtja e fëmijëve, si një koncept shumëdimensional dhe shumësektorial, është në qendër të programit të qeverisë. Sipas Barkës, kjo nënkupton angazhim për një reformim rrënjësor të sistemit të shërbimeve për fëmijët, përfundimin e procesit të decentralizimit e deinstitucionalizimit e fëmijëve dhe ngritjen e shërbimeve të reja alternative. Gjatë vitit 2007 u ngritën 12 shërbime të reja në komunitet për fëmijët e të rinjtë, të cilat administrohen nga njësitë e qeverisjes vendore, që po merr përgjegjësitë reale për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve. Ministri i Shëndetësisë, Nard Ndoka, lidhur me këtë çështje është shprehur se duhet të bëhen të gjitha përpjekjet për parandalimin e këtij fenomeni të dëmshëm për të gjithë shoqërinë tone. Sipas tij, Ministria e Shëndetësisë po punon me ndërhyrje konkrete që synojnë në parandalimin e pasojave imediate dhe afat gjata të dhunës në familje dhe në veçanti të dhunës ndaj fëmijëve, ku prioritet ka parandalimi i dëmtimeve, i sëmundjeve dhe i pasojave shëndetësore që vijnë nga keqtrajtimi i tyre. Personeli i kujdesit shëndetësor ka një rol kyç për të parandaluar këto fenomene të dëmshme, pasi ata janë të parët që duhet të merren me për ofrimin e menjëhershëm shëndetësore në rast të dhunës së ushtruar. Kështu, Ministria e Shëndetësisë në kuadrin e reformës së filluar, në kujdesin shëndetësor parësor, aktualisht po punohet për përgatitjen e udhëzuesve të praktikës mjekësore për mjekun e familjes dhe paketa e shërbimeve të ofruara nga këto qendra, ku është përfshirë edhe ndjekja, trajtimi dhe parandalimi i dhunës ndaj grave dhe fëmijëve.

3 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›