E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një busull e shkëlqyer për të zbuluar orientimin politik rus



ELVIS DEVOLE

Fondit të literaturës të shkencave politike prej disa kohësh i është shtuar një libër i ri mjaft interesant i titulluar - Cold Peace - (Paqe e Ftohtë), botim i Qendrës Strategjike dhe Studimeve Ndërkombëtare në Uashington D. C., me autor analistin e njohur të marrëdhënieve ndërkombëtare Janusz Bugajski. Pavarësisht se i përket zhanrit të specifikuar si literaturë politike, më tepër se sa një libër i zakonshëm, - Cold Peace -, është një studim i përkryer që në detaje pasqyron, analizon dhe parashikon, zhvillimet e politikës së jashtme ruse, jo vetëm atë të dhjetëvjeçarëve të fundit por, edhe perspektivën e saj me synimet afatgjata, në përballje me sfidat e realitetit të sotëm botëror. Me Cold Peace – e trajtuar si studim, Janusz Bugajski vjen në përfundimin se, riaktivizimi energjik i “Imperializmit të ri rus” tashmë është një realitet.
Faktet e kohëve ë fundit si: lëshimi i raketave strategjike në brigjet e detit të Verdhë në manovrat ushtarake mes Rusisë e Kinës, deklarata zyrtare e përbashkët e Rusisë dhe Kinës (Medvedev-Huxhintao), që kundërshton sistemin e vendosjen e radarëve për mbrojtjen antiraketore amerikane e cila sapo u miratua nga parlamenti Çek etj., konfirmojnë përcaktimet tepër të sakta në analizën e detajuar të librit-Cold Peace, e botuar nga Qendra Strategjike dhe e Studimeve Ndërkombëtare në Uashington.
Sistemi i ri i pushtetit rus ka saktësuar objektiva afatgjatë, që hedhin dritë mbi një neo - ekspansionizëm të Ariut Siberian, i cili synon të ridimensionojë kufijtë. Natyrisht, kjo nuk duhet trajtuar si një sezon i ri në stilin e Luftës së Ftohtë por,një program politik preciz që qeveria ruse: Putin - Medvedev dhe tani anasjelltas, ndjek me fanatizëm. Në fakt, Moska tani nuk konsiderohet si një armik global i perëndimit, siç ishte gjatë Luftës së Ftohtë. Kjo sepse, në vend të rrugëve ushtarake, Kremlini po zbaton një Luftë të re të Ftohtë por, tashmë ndryshe: me para, propagandë, me “diplomacinë e gazit” dhe “politikat e nafësjellësit”.
Regjimi rus nën udhëheqjen e Vladimir Putinit duke ndjekur një strategji koherente afatgjatë, ka arritur të rifitojë influencën e tij mbi ish-përkrahësit dhe përpiqet të kufizojë depërtimin Perëndimor në pjesët kyçe të këtij rajoni. Qëllimi i Moskës është të ndërtojë Rusinë si një Superfuqi të qëndrueshme dhe të fuqishme në nivelin Euro-aziatik dhe për zgjerimin e mbizotërimit të saj,të përdorë vendet fqinjë. Rasti i Kosovës është një shembull më se i qartë i politikës ruse: “përça e sundo”. Mbështetja e Serbisë nga ana e Moskës është krejtësisht cinike dhe bazohet më shumë në interesa vetjake (një mundësi e shkëlqyer biznesi për ta), se sa në kode morale. Ata blenë Malin e Zi edhe shumë shpejt industrinë energjetike të Serbisë.
Në analizat e para sistematike,duke detajuar Imperializmin e Luftës së Ftohtë të Rusisë, Bugajski kundërshton “zbutjen” ekuivalente, bashkëkohore të Luftës së Ftohtë, e cila e konsideron Rusinë si një superfuqi me të vërtetë “dashamirëse”, që kërkon bashkëpunim dhe integrim me Perëndimin. Për të vërtetuar këtë thekson ai, mjafton t’i referohemi gjashtë objektivave kryesore të vendosura nga qeveria ruse që janë: Zgjerimi i hapësirës së influencës në politikën e jashtme. Favorizim të monopoleve ekonomike. Konsolidim i vartësisë politike të vendeve kufitare dhe atyre në Lindje përmes Energjisë dhe kapitaleve. Kufizim i zgjerimit të Perëndimit dhe ekspansionit të NATO-s në Lindje. Rindërtim të influencës globale. Eliminim i unipolarizmit të SHBA. Me këtë libër autori ka dhënë një kontribut mjaft të rëndësishëm për formimin e “debatit”, duke analizuar marrëdhëniet e Rusisë me Europën Lindore me detaje të hollësishme të përpjekjeve ruse për të prezantuar politikat ekonomike, të politikave të jashtme dhe ato të sigurisë në rajon, për të ruajtur influencën dhe ndikimin e saj. Cold Peace- reflekton mjeshtërisht evoluimin e interesave ruse ndaj ekspansionit të NATO-s si dhe padit por, gjithnjë indirekt reflektimin e shovinizmit të “Rusisë Madhe”.
Në fakt, ky libër harton një argument bindës për një “Politikë të mirëmenduar të energjisë Perëndimore” kundrejt “Rusisë si superfuqi energjetike”, të bazuar mbi larminë e burimeve të energjisë që do të shfrytëzohen, si dhe në një strategji për sigurimin e kësaj larmie; për të mos harruar rëndësinë e miratimit dhe funksionimit të fuqisë së Statutit të bashkëpunimit: EU -- Rusia Energy Charter.
Të gjitha lëvizjet e Putinit gjatë mandatit të tij presidencial tregojnë se, Kremlini i ndjek me fanatizëm realizimin e këtyre objektivave. Në respekt të epokës Jeltsin, duhet thënë se, Putin në fakt ka mundur të sigurojë një aparat ekonomik me një drejtim që lëviz në unison dhe në funksion të interesave kombëtare. Madje, këtë rusët e kanë paguar shtrenjtë, me humbje të të drejtave individuale, të lirisë, transparencës dhe legjitimitetit, që janë bazat e një shoqërie demokratike. Cold Peace-është një busull e shkëlqyer për të kuptuar ku orientohet politika e njeriut të fortë të Kremlinit. Libri është dokumentim i rrallë i përballjes me çështjen ruse, në këndvështrimin e Uashingtonit dhe nëse ndokush dëshiron një udhëheqje të sigurt në strategjinë moskovite, nuk duhet ta konsiderojë këtë gjë aspak të lehtë.
Ja si është shprehur Zbigniev Brzezinski, politolog e gjeostrategjist tepër i njohur i kohës sonë:- Ky libër sa i rëndësishëm aq dhe koherent, do të jetë një “zbulim shok” për të gjithë lexuesit. Libri vë në dukje gjallërisht atë çka nuk është marrë parasysh nga shumica e krijuesve të politikës së SHBA, nga Shtëpia e Bardhë - dhe vazhdon më tej: - kjo do të thotë që politikat e Rusisë drejt shteteve të ish-Bllokut Sovjetik, janë akoma një nostalgji kërcënuese imperialiste. -Unë nuk di ndonjë informacion tjetër, i cili ndërthur efektivisht fakte kaq të detajuara, deri tani të panjohura, kundrejt disa të dhënave të tjera kaq të ndjeshme.

(Informacion për Autorin: Janusz Bugajski është Drejtor i Projekteve të Europës Lindore në Qendrën Strategjike dhe Studimeve Ndërkombëtare në Uashigton, D.C. Ai ka shërbyer si Këshilltar i organizmave qeveritare dhe organizatave private. Ka mbajtur leksione në një numër të konsiderueshëm universitetesh amerikane dhe europiane. Aktualisht drejton programin e studimeve të Europës Jugore -Qendrore në Institutin e Shërbimit të Jashtëm, të Departamentit Amerikan të Shtetit.)

3 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›