Berisha: Spahia e teproi me homoseksualët

Ekrem Spahia
Kryeministri kritikon zv.ministrin e Mbrojtjes pas deklaratave.
Kreu i PLL: Ne e kemi familjen të shenjtë, dallojmë nga PD.
Kryeministri Sali Berisha u bë dje pjesë e debatit për një paradë të paralajmëruar nga homoseksualët në Tiranë më 17 maj. Duke folur në mbledhjen e Grupit Parlamentar, ai tha se askush nuk do të ndalohet të manifestojë, pavarësisht orientimit seksual. Në fakt, ka një debat që ka shpërthyer kohët e fundit lidhur me kërkesën e bërë për një manifestim të grupeve me orientim seksual të ndryshëm. Shqipëria është vend i lirë. Nuk mund të ketë dhe nuk mund të mendojë askush që ne do të kufizojmë manifestime, demonstrata, ciladto qofshin ato. Ky është rregull i lirisë. Ne kemi miratuar një ligj dhe ai ligj ka qenë i domosdoshëm, sepse është e vërtetë se pakicat e natyrave të ndryshme kanë nevojë për një mbrojtje ligjore dhe në këtë kontekst, unë vlerësoj qëndrimin e komisioneres për të Drejtat e Pakicave dhe reagimin e saj, si reagim adekuat dhe të përshtatshëm ligjor, u shpreh Berisha. Kreu i qeverisë komentoi edhe deklaratën e bërë pak ditë më parë nga zv.ministri i Mbrojtjes, kreu i PLL-së, Ekrem Spahia, i cili tha se do ti hyjmë në dru atyre që do të protestojnë. Sipas Kryeministrit, gjuha e përdorur nga Spahiu është e papranueshme. Ai shtoi se nuk do të ketë asnjë lloj pengese për këtë rast. Ndërsa aleatëve mund tu them se kanë përdorur ose kanë bërë deklarata të papranueshme. Reagimi i kryetarit të Partisë së Legalitetit ishte aspak përgjigje mbretërore, sepse edhe vetë janë parti e tolerancës, dhe ata e kanë faktuar këtë. Ndaj, ka qenë një teprim, se nuk mund të bëhet fjalë që njerëzit të mos mund të shprehin veten e tyre në këtë vend, në përputhje me ligjet e vendit. Ky është qëndrimi ynë. Për të tjerat pastaj, secila parti ka platformën e vet. Por, të themi atë që është, asnjë parti nuk ka dajakun platformë. Në asnjë lloj rrethane, nuk ka asnjë çështje që të mund të pranohet intoleranca, por është e kundërta. Sipas kreut të Ekzekutivit, askush nuk e ndaloi kreun e opozitës dy vjet më parë kur mbushi rrugët e Tiranës me plehra për të protestuar para Kryeministrisë.
Spahia
I kontaktuar nga gazeta lidhur me deklaratën e Berishës, kreu i PLL-së, Ekrem Spahia, nuk pranoi ta komentonte, por kujtoi edhe njëherë programin e partisë që drejton, ku një prej pikave është pikërisht familja është e shenjtë. Programet e çdo partie janë të ndryshme, sepse këtu dallojnë partitë nga njëra-tjetra. Në mënyrë të vazhdueshme unë kam deklaruar se partitë duhet të identifikohen me programet, dhe jo me kryetarët. PLL ka në programin e saj bashkimin e trojeve etnike në një shtet të vetëm, gjë që nuk e ka, për shembull, PD-ja. Ne kërkojmë që në Shqipëri të rikthehet monarkia përmes rrugëve legjitime. Pra ne jemi mbretërorë dhe duam që në krye të shtetit të jetë institucioni mbretëror. PD-ja dhe partitë e tjera nuk e kanë. Ne kërkojmë që prona ti kthehet pronarit legjitim. Ne e konsiderojmë familjen e shenjtë. Ne kërkojmë që të rikthehet dënimi me vdekje. Janë pika programore që çdo parti ka programin e vet. Ndërsa për çështjen që ju më pyesni, unë nuk kam asnjë koment, u shpreh Spahia.
Padia
Aleanca LGBT dhe Pro LGBT bënë dje një kallëzim penal në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor të Tiranës kundër z. Ekrem Spahia. Kjo do të jetë një test i rëndësishëm, sidomos për të kuptuar se sa vlerë ka në botën e Gjyqësorit neni 266 i Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë. Aktivistët për të drejtat e komunitetit LGBT përshëndesin deklaratën publike të Kryeministrit z. Sali Berisha të bërë sot në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PD-së dhe presin tashmë hapa konkretë nga qeveria në luftën kundër padrejtësisë dhe në procesin e promovimit të të drejtave të njeriut, thuhet në njoftimin për shtyp të Pro LGBT.
PDK- PR
Lidhur me protestën e homoseksualëve kanë reaguar gjithashtu demokristianët dhe republikanët. Partia Demokristiane Shqiptare është kundër martesës midis së njëjtës gjini. Pra është pro martesës tradicionale në mes gjinive të kundërta. Familja e shëndoshë, sipas traditës sonë dhe sipas alternativës kristiane, krijohet si lidhje midis burrit dhe gruas, u shpreh Nard Ndoka. Ndërsa Arjan Madhi theksoi se shoqërisë sonë nuk mund ti imponohet çdo normë në emër të të drejtave dhe lirive të njeriut, të individit. Shumica e popujve të civilizuar dhe me demokraci shumëvjeçare i mbajnë ende të izoluara praktikat e këtij lloji.
ADI SHKEMBI