Komisioni i reformës - pranë konsensusit miratimi i nenit që vendos numërimin elektronik
Prioritetet e kësaj procedure përqendrohen tek nxjerrja brenda ditës e rezultatit të zgjedhjeve, por edhe tek margjinalizimi i rolit pengues të partive gjatë administrimit të procesit të zgjedhjeve
Nëse aplikohet sistemi i numërimit elektronik të votave, rezultati i zgjedhjeve në Shqipëri do të bëhet i ditur brenda tetë orëve nga mbyllja e kutive. Disa prej kompanive të huaja, që menaxhojnë teknologjinë e zgjedhjeve në SHBA e Angli, i kanë demonstruar ekspertëve të komisionit të Reformës, por dhe KQZ-së makineritë e aplikueshme për të ardhmen në Shqipëri.
Sipas ekspertëve pranë komisionit të Reformës Zgjedhore, kjo lloj teknologjie do të zhdukë numëruesit dhe kontestimet e rezultatit. “Nuk do quhen më numërues nëse aplikojmë këtë teknologji. Do të ketë përfaqësues të partive, të cilët do të mbikëqyrin procesin e numërimit. Do ketë sigurisht një person të kompanisë, i cili do të përgjigjet për mbarëvajtjen e teknologjisë. Për sa i përket votimit elektronik, që është një fazë shumë më e avancuar nga kjo që po kërkojmë ne, është herët për të folur për Shqipërinë sepse kërkon dhe pjesëmarrjen dhe trajnimin e vetë votuesit”, shprehen ekspertët, lidhur me aplikimin e mundshëm të metodës së votimit elektronik në zgjedhjet e ardhshme.
Rezultati megjithatë mund të jetë më i shpejtë.
“Kjo makinë numëron nga 230 deri në 368 fletë votimi në minutë dhe numri total ne mendojmë që do të jetë për një orë e gjysmë – dy orë. Duhet vetëm një makinë në një qendër votimi”, vijojnë më tej ekspertët.
Një tjetër teknologji, që mund të përfshihet në kod është dhe identifikimi elektronik i zgjedhësve. Të dy aparaturat llogariten të përballueshme nga financat e shtetit shqiptar dhe mund të gjejnë zbatim që në 2013-ën.