E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkarkohet Shaban Memia, Ardian Kollozi në krye të ALUIZNI-t

Shaban Memia dhe Ardian Kollozi

Pas më shumë se një viti dhe kontrolleve të Task-Force e KLSH, merr fund ngërçi i shkarkimit të Memisë.

Firmoset urdhri, në krye të ALUIZNI-t emërohet Ardian Kollozi.

Zyrtarizohet shkarkimi i Shaban Memisë nga pozicioni i kreut të Agjencisë së Legalizimeve. Urdhri i shkarkimit është firmosur nga kreu i qeverisë dhe në krye të ALUIZNI-t do të shkojë një tjetër emër i lakuar më herët, Ardian Kollozi. Fiks pas një viti nga bllokimi i procesit të legalizimeve në Drejtorinë Qendrore dhe fillimit të luftës mes ish-drejtuesve, kreu i qeverisë Sali Berisha ka vendosur që ti japë fund situatës problematike të krijuar. Ardhja e Kollozit në krye të Legalizimeve nuk është e rastësishme, pasi prej kohësh pritej emërimi i mundshëm i tij. I mbetur pa një post drejtues pas kandidimit për kreun e Bashkisë në Vlorë dhe humbjes përballë Shpëtim Gjikës, emërimi në krye të një institucioni të rëndësishëm ishte vetëm çështje kohe. Kollozi para se të kandidonte për kreun e Bashkisë Vlorë, mbante mandatin e deputetit për këtë qytet, të cilin u detyrua ta dorëzonte. Njëkohësisht ai mban edhe pozicionin e kryetarit të PD-së për qarkun e Vlorës.
Ngërçi
Finalizimi i largimit të Shaban Memisë si kreu i ALUIZNI-t vjen pas një situate kontradiktore dorëheqjesh dhe shkarkimesh, që vijon prej gati një viti. Problemet brenda nivelit drejtues të Agjencisë së Legalizimeve mes drejtorit Shaban Memia dhe zëvendësdrejtorit Ferdinand Shehu ishin edhe krisja e parë, që nxori në pah luftën brenda institucionit. Shkarkimi i Shehut që kandidoi edhe për deputet nën siglën e PD-së, duket se nuk u ka pëlqyer institucioneve mbi agjencinë dhe vetë kreu i qeverisë ka pezulluar shkarkimin e Shehut. Këtë ngjarje pak kohë më vonë do ta shoqëronte dorëheqja e deklaruar e Memisë në tetor të vitit 2011, e cila u interpretua si dorëheqje e kërkuar. Gjithsesi, për disa javë me radhë në mjegull mbi situatën brenda ALUIZNI-t për një drejtor të ri në krye do të qëndronte sërish Memia. Urdhri për largimin e tij dhe ardhjen në krye të legalizimeve të një emri të ri, kreu i qeverisë e ka firmosur këto ditë, duke i dhënë fund ngërçit që vijon prej kohësh. Shaban Memia mbante postin e kreut të Agjencisë së Legalizimeve prej gjashtë vitesh, ndërkohë që është konsideruar si një ndër emrat më të rëndësishëm të së djathtës dhe përfaqësues i shtresës së të përndjekurve.

KLSH: Drejtuesit e ALUIZNI-t, punë të dobët
Kontrolli i Lartë i Shtetit vetëm pak kohë më parë ka mbyllur raportin pas auditimit në ALUIZNI-n qendror dhe disa drejtori rajonale. Në këtë raport, KLSH thekson se nga ana e drejtuesve të ALUIZNI-t është bërë një punë e dobët, kurse procesi ka ecur shumë ngadalë. Po kështu janë hasur shkelje që shkojnë disa qindra milionë lekë. Vetëm për Drejtorinë Rajonale në Durrës dhe për Drejtorinë Qendrore KLSH ka kallëzuar 14 punonjës në Prokurori.

Banka Botërore
Banka Botërore në raportin e saj Qeverisja në mbrojtjen e të drejtave mbi pronën e paluajtshme në Shqipëri: sfidë e vazhdueshme vlerëson se procesi i legalizimeve në Shqipëri paraqet mjaft probleme. Në radhë të parë, sipas saj, ai ka qenë i ngadaltë, edhe pse burimet kanë qenë në dispozicion dhe, nga ana tjetër, nuk është i plotë. Sipas BB janë rreth 80 mijë ndërtime që mbeten jashtë këtij procesi dhe që, sipas ligjit, duhet të shemben, por kjo do të ketë një kosto e lartë për qeverisë.

NERTILA MAHO

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›