E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha, thirrje Ramës: Reflekto dhe kthe PS-në në Kuvend

Me thirrjen për reflektim dhe kthimin e opozitës në Kuvend, Kryeministri Sali Berisha ftoi mbrëmë kryesocialistin Edi Rama për reforma të përbashkëta në interes të integrimit të shpejtë të shqiptarëve. Gjatë analizës së 100 ditëve të para të qeverisjes 2009-2013, Kryeministri Sali Berisha i bëri thirrje opozitës që të distancohet nga bojkoti dhe të ulet bashkërisht me mazhorancën për përmbushjen e reformave integruese. Duke i kujtuar Ramës se bota i dha një mësim të mirë, pasi bojkoti nuk është kauzë demokratike, kreu i qeverisë e akuzoi Edi Ramën se po kërkon që me bojkotin dhe kushtet që të hapen kutitë, që Kuvendi të kthehet në një gjykatë, duke siguruar se nuk do të ketë asnjë diskutim për hapje kutish. Berisha i kujtoi opozitës se etërit e saj u shndërruan në bunkerë, ndërsa ajo tani po shndërrohet në kuti. “Kam dëgjuar se Rama po çon kartolina me kuti, le t’i çojë se di edhe unë se cilat t’ia çoj. Opozita është kthyer në opozita e madhërisë së tij, por unë nuk pranoj kërkesa që rrënojnë ndërtesën”, - tha z. Berisha. Nga ana tjetër, në konferencën për shtyp të 100 ditëve të qeverisë së tij, Kryeministri premtoi se është i gatshëm për dialog me opozitën, duke ftuar direkt kryetarin e PS-së, Edi Rama. “Unë nga ana ime e garantoj se është shumë i mirëpritur dhe e garantoj se çdo hap për procesin e integrimit dhe reformat për këtë t’i bëjmë bashkërisht”, - u shpreh Berisha. Në 100 ditët e punës së qeverisë së tij, Berisha e cilësoi bojkotin e opozitës si të pavend për integrimin e vendit drejt Bashkimit Evropian që, sipas Berishës, është vendimi më historik i kësaj qeverie. “Opozita shqiptare me bojkotin e saj i privoi vetes një shans për të qenë bashkautorë në reforma; opozita shqiptare, zoti Rama, më duket se mendoi që nëpërmjet bojkotit do t’i bënte thirrje ndërgjegjes së Evropës, por nëse Evropa do ndiqte këtë rrugë, këto vendime nuk do merreshin. Evropa e lirë konstatoi se bojkoti është pa kauzë demokratike. Opozita kërkonte t’u vihej kazma institucioneve demokratike, kërkonte të çonte Parlamentin në gjykatë”, - theksoi Berisha. Në fjalën e tij Berisha i bëri thirrje kreut socialist të reflektojë dhe të kthehet në Parlament për të përmbushur së bashku reformat që e presin vendin. “Uroj që vendimet e marra në 100 ditë ta bëjnë zotin Rama të marrë vendimin e duhur. E ftoj që reformat t’i bëjmë bashkërisht në të mirë të vendit”, - deklaroi Kryeministri.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›