E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha 100 vjetori reflektim mbi historine tone

“Ky 100 vjetor duhet të jetë një mundësi reflektimi për ne shqiptarët, për historinë tonë”. Kështu ka deklaruar kryeministri Sali Berisha gjatë përurimit të albumit historik të Aleksandër Meksit dhe Xhevat Lleshit në kuadër të 100 vjetorit të Pavarësisë.

Shefi i qeverisë shqiptare duke evokuar historinë e shqiptarëve dhe Shqipërisë që nga koha e Skënderbeut deri në ditët e sotme, u shpreh se, nëse hedhim vështrimin në 100 vite e 1 mijë vite e më tutje ne gjejmë një histori ku të krijohet përshtypja që ky komb periodikisht ka vdekur dhe është ringjallur.

“Kombi ka identitetin për të qenë i tillë, por ky është një aspekt i identitetit, po të shohësh kombin kemi periudha me të cilat nuk mund të mburremi, kemi periudha ku kemi jetuar mes qenies dhe mos qenies, kemi periudha të tjera në të cilat jemi ngritur nga hiri si feniksi, ose kemi periudha të një mrekullie të vërtetë kombëtare”- u shpreh shefi i qeverisë.

Berisha ka vlerësuar periudhën e Skënderbeut dhe atë të pavarësisë, ndërsa për sa i përket periudhës së diktaturës ai tha se ajo ishte diktatura më mizore dhe kalvari më i egër të këtij kombi.

Kryeministri vlerësoi promovimin e këtij albumi, duke u shprehur se në të janë përfshirë të vërtetat historike.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›