E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha 20 mije leke shperblim 560 mije pensionisteve

Vendimi për rritjen e pagave dhe e pensioneve, si dhe shpërblimi i fundvitit për pensionistët dhe administratën u përforcua dhe një herë tjetër sot nga kryeministri Berisha gjatë mbledhjes së rradhës së qeverisë.
Në fjalën e tij, kreu i qeverisë shprehu vendosmërinë për të vënë në realitet premtimet e saj, duke hedhur poshtë kështu pretendimet e opozitës.   
"Të nderuar pensionistë, të cilët përjetuat një trysni të pamerituar për të mos thënë të pashpirtë mëdiatike të qëllimtë lidhur me shpërblimin e fundvitit. Qeveria nuk ka pas ndërmend të përjashtojë shpërblimin. 560 mijë nëna e baballarë në pensione, kanë konsideratën më të madhe nga kjo qeveri kanë dhimbshuri dhe respekt ndaj tyre, vlerësimin për kontributin e tyre në ndërtimin e vendit, që sot është krejtësisht tjetër falë mundit të tyre dhe më duhet të denoncoj publikisht mediat e kontrolluara nga opozita, që disinformuan në mënyërë të pandershme pensionistët, shkuan deri aty sa të përgjysmojnë e t’i përdorin për qëllimet dezinformuese deklaratat e ministrit të Financave e krijuar shqetësim të pabazë tek pensionistët. Ndaj sot ne vendosim për shpërblimet e punonjësve të adminsitratës me shumën e përcaktuar nga Ministria e Financave dhe shpërblimin e pensionistëve me 20 mijë lekë”, vuri në dukje Berisha.
Madje po në këtë linjë, kreu i qeverisë siguroi pensionistët se asgjë nuk mund të lëkundë vendosmërinë e kësaj mazhoranca për mbështetjen e tyre.  “Rikujtoj këtu se në fillim të vitit 2006, pensioni mesatar në fshat ishte 34 dollarë, sot është rritur me 110% dhe çdo vit opozita ka kërkuar dhe ka votuar kundër rritjes së pagave dhe pensioneve dhe nuk sollën një amendament për rritjen. Çfarë amendamenti sollën? Në Gines regjistrohet amendamenti i tyre, si gafë e përmasave ndërkombëtare, të llogaritet borxhi si përqindje e PBB”, u shpreh Berisha. 
Vepruar në këtë mënyrë, Berisha kërkoi nga opozita që të paktën të kërkojnë falje për troditjen psikologjike që u sollën pensionistëve me lajmet e tyre dizinformuese. 
“Ndaj ftoj opozitën që nuk votoi për rritjen e rrogave e pensioneve, që nuk kërkoi shpërblimin e pensionistëve, të kërkojë ndjesë publikisht, se dhe ndjesa është dhunti e njeriut të qytetëruar. Uroj që të kërkojnë ndjesë, se nuk votuan në parlament për rrogat e pensionet, se përhapën dezinformime të pandershme, që kërcënonin psikologjikisht pensionistët, ndërkohë që ata do shpërbleheshin. Kjo qeveri është ndër më të paktat që ti dërgojë këtë kartolinë pensionistëve dhe administratës”, deklaroi Kryeministri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›